Connect with us

Aktualitet

Klani “Çopja”: Nga Elbasani në Dubai, si u ngrit pa zhurmë organizata e fuqishme shqiptare

Të zbresësh nga një avion privat, jo gjithmonë nënkupton pushtet. Dikush zbret nga një avion i tillë edhe atëherë perandoria e tij e drogës dhe pasuria e paimagjinueshme ka nisur t’i shembet nën këmbë. Kjo i ndodhi edhe Franc Çopjas, apo siç njihej në Belgjikë Franc Gergely.

Lideri shqiptar i drogës, jetoi si një mbret në vilën e tij miliona dollarëshe në Dubai, duke orkestruar goditjet brutale dhe lëvizjen e dërgesave masive të drogës nëpër Evropë. Por më 14 shtator 2023, luksi i tij i fshehtë nuk mund ta shpëtonte atë nga ekstradimi në Belgjikë. Lideri i pamëshirshëm, dikur i paprekshëm, udhëtimin e tij të fundit nga Dubai e realizoi më një avion privat, për të përfunduar në një qeli burgu belge.

Historia e Franc Çopjas nis në Elbasan, në qytetin e tij të lindjes. Edhe pse shumë i ri në moshë, vetëm 31 vjeç, më i vogli nga vëllezërit e tij, Ervini dhe Hajdari, Franci kishte një jetë krejt të zakonshme. Por jeta e tij mori një kthesë të fortë shumë shpejt. Si shumë të rinj në Elbasan, Franci u përfshi në krime të vogla. Por gjërat e vogla ndodh të zmadhohen shumë shpejt. Ai ishte ambicioz dhe aftësia e tij për biznes, qoftë edhe ato të paligjshme, e bëri atë që shumë shpejt të ngjitej në radhët e botës së krimit vendas. Në fillim të të 20-tave, Franci nisi të bënte emër. Ai nuk ishte më thjesht një bandit rruge. Ai kishte filluar të fitonte fuqi dhe ndikim të fortë. Franc Çopja nuk donte thjesht të bëhej një kriminel si gjithë të tjerët, ai donte të drejtonte gjëra të mëdha. Kështu ai formoi klanin “Çopja”. Një grup i pamëshirshëm dhe me lidhje shumë të ngushtë. Nuk ishte thjesht një bandë, ishte një familje e krimit të organizuar.

Madje në Belgjikë e konsiderojnë si mafia. Ata arritën të fusnin duart në gjithçka. Që nga trafiku i drogës, i armëve dhe sigurisht edhe te pastrimi i parave. Klani i Franc Çopjas u rendit shpejt si një lojtar kryesor në skenën kriminale shqiptare, i njohur për metodat brutale dhe lidhjet ndërkombëtare. Nga Shqipëria ata i zgjeruan operacionet e tyre në të gjithë Evropën. Klani “Çopja” nuk qëndroi vetëm në terrenin e tyre, por u bë global. Një nga operacionet kryesore të tyre ishte trafiku i drogës. Klani merrej shumë me kokainën, duke importuar sasi masive nga Amerika e Jugut. Nuk po flasim për një aksion të vogël kontrabande. Po flasim për dërgesat kryesore që klani shqiptar i kaloi nëpër portet kryesore evropiane, si Antwerpi dhe Roterdami. Droga që vinte e fshehur mes substancave të tjera, përpunohej në laboratorë sekretë përpara se të shpërndahej në të gjithë Evropën. Fitimet ishin kolosale dhe paratë e fituara nga ky aktivitet ktheheshin në Shqipëri. Por Franci nuk u ndal me kaq. Klani i tij ishte gjithashtu i përfshirë thellë edhe në trafikun e armëve.

Ata furnizonin me armë organizatat e tjera kriminale duke shtuar një shtresë tjetër të ardhurash dhe ndikimi në perandorinë e tyre. Dhe sigurisht të gjitha ato para të pista ishin pastruar disi dhe klani “Çopja” kishte metoda të sofistikuara për t’i bërë të ligjshme fitimet e tyre ilegale. Franc Çopja, pasi u fuqizua në botën e krimit shqiptar, vendosi të ngrihet më lart. Ai e zhvendosi të gjithë veprimtarinë e tij në Dubai, një vend i njohur për luksin, reputacionin dhe që konsiderohej si një strehë e sigurt për kriminelët me xhepa plot. Në këtë formë, Franci nuk po kërkonte vetëm një bazë të re, ai po synonte një kështjellë. Ai u vendos në një vilë miliona dollarshe, në zemër të Dubai Hills. Zhvendosja në Dubai i lejoi Francit të zgjeronte operacionet e tij në një shkallë globale. Ai nuk mjaftohej vetëm me drejtimin e gjërave në Shqipëri apo edhe në Evropë. Nga baza e tij e re ai orkestroi një rrjet të gjerë të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe krimit të organizuar.

Jeta në Dubai ishte një kontrast i fortë krahasuar me rrugët e rrëmujshme të Elbasanit, ku Franci filloi karrierën e tij kriminale. Ai jetoi si një mbret në vilën e tij në Dubai. Ajo u ndërtua sipas specifikave të tij, një simbol i fuqisë dhe ndikimit që ai kishte. Një pallat i përshtatshëm për një bos droge. Në këtë pikë gjithçka po shkonte sipas llogarive të tij. Tregtia e drogës ishte burimi më i madh i fitimeve që ai kishte. Klani “Çopja” e përpunonte drogën në laboratorë të fshehur në të gjithë Evropën përpara se ta shiste në të gjithë kontinentin. Fitimet ktheheshin në Shqipëri duke financuar edhe më shumë aktivitete kriminale. Por Franci nuk qëndroi vetëm për të numëruar paratë. Ai ishte strategjik dhe i pamëshirshëm duke siguruar që perandoria e tij të funksiononte pa probleme. Ai mbajti një profil të ulët në Dubai dhe rrallë i bënte duart pis vetë. Në vend të kësaj, ai i drejtoi operacionet e tij nga hija duke përdorur mesazhe të koduara dhe ushtarë të besuar për të menaxhuar punët e përditshme. Rrjeti i tij i vrasësve siguroi që kushdo që e kalonte atë ose klanin e tij, të eliminohej me shpejtësi. Franc Çopjas i janë atribuuar të paktën 9 atentate. Ndonëse vetë Franci rrallëherë ishte i përfshirë drejtpërdrejt. Luksi dhe siguria e Dubait e lejuan të ndihej i paprekshëm. Ai u shoqërua me njerëzit e pasur dhe të fuqishëm në shoqërinë e lartë të Dubait, ndërsa drejtonte një nga organizatat kriminale më të frikshme në Evropë nga kalaja e tij në Dubai Hills. Por kur dikush qëndron në krye të zinxhirit, konkurrenca e ashpër është e pashmangshme. Hyn në një nga rivalitetet më intensiv në historinë e krimit të organizuar.

Përplasja nis mes klanit të Franc Çopjas dhe klanit Alibej, me në krye Ardit Spahiun. Shkëndija e parë u dha nga një dërgesë masive kokaine që u zhduk në Britaninë e Madhe. Nuk bëhej fjalë për një dërgesë të thjeshtë, por për një sasi kolosale. Kur u zhduk, të dy klanet drejtuan gishtin nga njëri-tjetri. Klani Çopja, i njohur për mbretin e tyre ndërkombëtar të trafikut të drogës, ishte thellësisht i përfshirë në tregun evropian të kokainës. Nga ana tjetër, Ardit Spahiu, një drejtues i pamëshirshëm i klanit Alibej, vepronte nga Elbasani dhe ishte po aq i rrënjosur në tregtinë e drogës. Kjo ngarkesë e humbur ishte një mosmarrëveshje e madhe dhe zhdukja e saj ishte e mjaftueshme për të ndezur një konfrontim të dhunshëm dhe të përgjakshëm midis këtyre dy fraksioneve të fuqishme.

Ardit Spahiu nuk ishte thjesht një tjetër gangster, ai ishte një lojtar kyç në botën e krimit shqiptar, i njohur për taktikat e tij brutale dhe rrjetin e gjerë kriminal. Klani Alibej, si ai i Çopja, kishte një prani të konsiderueshme si në Shqipëri ashtu edhe në Evropë, duke i bërë rivalë të frikshëm. Operacionet dhe reputacioni i tyre ishin në linjë dhe loja e përgjegjësisë për kokainën e humbur çoi në një luftë gjithëpërfshirëse të shënuar nga përshkallëzimi i dhunës dhe vrasjet e shumta. Të dy klanet ishin shumë të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe aksionet ishin tepër të larta. Klani Çopja, nën drejtimin e pamëshirshëm të Franc Gergely shquhej për metodat e tij brutale, nga ana tjetër edhe klani Alibej me Ardit Spahiun në krye ishte po aq i pamëshirshëm dhe i vendosur për të ruajtur dominimin e tij. Rivaliteti u kthye shpejt personal dhe dhuna që pasoi ishte e paprecedentë. Gjatë kësaj kohe ata filluan ta lëviznin aktivitetin e tyre nga Elbasani në rrugët e Brukselit. Ata nuk po kërkonin vetëm një treg të ri, por donin një vend ku të mund të vepronin me më pak presion nga autoritetet. Qytetet portuale plot zhurmë dhe vendndodhja strategjike e Belgjikës u ofronin atyre pikërisht këtë. Kalimi në Belgjikë nuk ishte vetëm për t’i shpëtuar agjencive ligjzbatuese shqiptare, por edhe për të kapur mundësi të reja. Tregu evropian i drogës ishte fitimprurës dhe Brukseli siguroi qendrën e përsosur për shpërndarjen e kokainës në të gjithë kontinentin. Klani Alibej i krijuar në komunën Sait-Jans-Molenbeek, një zonë e errët e Brukselit e njohur për aktivitetet kriminale, ku ata mundët të përfshihen në rekrutimin e kriminelëve vendas dhe të krijonin një bazë të fortë. Ata kishin shtëpi të sigurta, laboratorë të përpunimit të drogës dhe një rrjet shpërndarësish. Rivalët e tyre, klani i Çopjave, i drejtuar nga Franc Çopja, kishin shtrirë operacionet e tyre edhe në Belgjikë, duke krijuar shtyllën e hasmërisë së tyre të përgjakshme. Një nga ngjarjet më tronditëse në këtë konflikt vdekjeprurës ndodhi më 27 nëntor 2020. Ardit Spahiu, figura kryesore e klanit Alibej po largohej nga një kafene në Bruksel. Ishte mbrëmje herët dhe ndoshta mendoi se ishte i sigurt, por ndërsa doli jashtë një “Golf” i zi, një person i armatosur doli dhe hapi zjarr me automatik duke e kapur në befasi dhe pa i lënë mundësi reagimi. Ndaj tij u qëllua 18 herë dhe 8 nga plumbat e goditën për vdekje.

Hetimi për vrasjen e Spahiut zbuloi se sa thellë kishte depërtuar rivaliteti mes dy klaneve shqiptare. Plani fillestar nuk ishte vetëm vrasja e Ardit Spahiut, por zhdukja e të gjithë familjes së tij. Dy vrasësit e përfshirë në ekzekutim u arrestuan më vonë në Spanjë dhe Gjermani, duke dëshmuar shtrirjen ndërkombëtare të kësaj përplasjeje vdekjeprurëse. Niveli i dhunës ishte tronditës edhe për standardet brutale të botës së krimit të Brukselit. Por kjo ishte vetëm një nga goditjet e shumta të Franc Çopjas dhe klanit të tij. Franci ishte i lidhur me të paktën 9 vrasje me pagesë, 6 prej të cilave kanë ndodhur në Shqipëri, duke forcuar më tej reputacionin e tij si një lider i pamëshirshëm. Një nga vrasjet më të bujshme që i atribuohet ishte ajo e Ardit Spahiut. Dhuna nuk u ndal me vdekjen e Spahiut. Grindja mes klanit Çopja dhe Alibej vetëm sa vazhdoi të përshkallëzohej. Të dy palët ishin të armatosur rëndë të gatshme për të bërë përpjekje ekstreme për të dëshmuar dominimin e tyre. Klani Alibej i njohur për taktikat e tij brutale u hakmor dhe cikli i dhunës vazhdoi. Për Franc Çopjan, ekzekutimi i Ardit Spahiut ishte një mesazh i qartë. Ajo kishte për qëllim të tregonte se ai ishte i paprekshëm dhe se kushdo që e kalonte atë ose klanin e tij do të kishte një fund të shpejtë dhe fatal. Por ndërkohë që Franci festonte lavdinë e perandorisë së tij të drogës, forcat e rendit ishin në kërkim të tij. Mesazhet e deshifruara të Sky më vonë zbuluan shkallën e përfshirjes së Franc Çopjës në këto vrasje. Këto komunikime të koduara dhanë një pasqyrë rrëqethëse të aktivitetit tij, duke përfshirë foto dhe video të torturave dhe ekzekutimeve. Ky rivalitet nuk ishte vetëm për biznes, por ishte kthyer edhe në personal. Ngarkesa e zhdukur e kokainës ishte thjesht tregues për një konflikt shumë më të thellë. Të dy klanet kishin një histori të gjatë dhune dhe një vendosmëri të ashpër për të kontrolluar tregtinë fitimprurëse të drogës. Goditjet, taktikat brutale dhe shtrirja ndërkombëtare e operacioneve të tyre e bënë këtë një nga përplasjet më të përgjakshme në botën e krimit të organizuar. Kjo më pas solli një hetim intensiv dhe shumë të suksesshëm të autoriteteve belge që çoi në rrëzimin e Franc Gergely (Çopjas). Çelësi për të goditur këtë rast ishte SKY. Një program i koduar mesazhesh që kriminelët besonin se ishte i padepërtueshëm. Planifikimi i krimeve, nga trafiku i drogës te atentatet, të gjitha nën iluzionin e fshehtësisë së plotë, në fakt ishte edhe fundi i disa prej bosëve të krimit. Por ata nuk e dinin këtë dhe favori i agjencive të zbatimit të ligjit ishte se këtë herë ishin një hap para tyre. Autoritetet belge dhe ato ndërkombëtare bashkëpunuan në mënyrë perfektë për të goditur klanet e rrezikshme. Ata arritën të deshifrojnë mesazhet në SKY dhe ajo që gjetën ishte një thesar për drejtësinë, njësoj si hapja e kutisë së Pandorës. Këto mesazhe përmbanin plane të detajuara, lista krimesh që po përgatiteshin, madje edhe foto e video të akteve brutale të kryera nga klani Çopja. Komunikimet e koduara ishin një minierë ari provash që jepnin një pamje rrëqethëse të veprimtarisë kriminale të klanit Çopja. Mesazhet e deshifruara u dhanë hetuesve një udhërrëfyes të aktiviteteve të grupit, duke ekspozuar punën e brendshme të perandorisë së tyre kriminale. Me këtë inteligjencë të sapozbuluar, agjencitë ligjzbatuese ishin të sigurt se tashmë kishin një shans real për të rrëzuar Franc Çopjan.

Në tetor të vitit 2021 loja ndryshoi. U realizua një operacion masiv i koordinuar, që përfshiu 1100 oficerë policie në të gjithë Belgjikën. Ky nuk ishte një aksion i zakonshëm, por ishte një sulm në shkallë të gjerë ndaj perandorisë së Franc Çopjas. Qëllimi ishte i thjeshtë: Çmontomi i rrjetit shqiptar të kokainës që ai kishte ndërtuar. Shkalla e këtij operacioni ishte e paprecedentë, duke treguar se sa seriozë ishin autoritetet për ta rrëzuar atë. Operacioni zbuloi 11 laboratorë kokaine dhe 5 plantacione kanabisi. Bëhej fjalë për objekte të mëdha ku përpunohej sasi masive droge. Në përfundim u sekuestruan mbi 32 tonë kokainë, vila, makina të shtrenjta dhe apartamente luksoze me vlerë mbi 7 milionë euro. Ishte një goditje e rëndësishme për aktivitetin e klanit Çopja dhe një mesazh i qartë për vendosmërinë e autoriteteve ligjore. Por nuk bëhej fjalë vetëm për drogën. Ky operacion çoi gjithashtu në arrestimin e anëtarëve të shumtë të bandës, ku gjykatat ishin gati të nisnin gjyqin më të madh kriminal zhvilluar ndonjëherë në Belgjikë, me 142 të dyshuar në gjykatën e madhe që njihet si “Justitia building in Evere”.  Provat kundër Franc Çopjas ishin të shumta. Mesazhet e SKY kishin zbuluar jo vetëm operacionet e tij të drogës, por edhe përfshirjen e tij në goditjet e shumta kriminale.

Hetuesit gjetën imazhe të tmerrshme të torturave dhe ekzekutimeve. Të gjithë këto e tregonin Frnac Çopjan si organizator. Ishte e qartë se ai nuk ishte thjesht një bos droge, por një vrasës i pamëshirshëm që sundonte me frikë dhe dhunë. Më 16 qershor 2023, zyra e prokurorit federal kërkoi zyrtarisht arrestimin dhe ekstradimin e tij nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Falë një marrëveshje ekstradimi të nënshkruar në dhjetor 2021, Belgjika kishte një kuadër ligjor për ta vendosur Franc Çopjan përpara drejtësisë. Ai u arrestua përfundimisht në Dubai më 14 shtator 2023 dhe u ekstradua në Belgjikë, duke shënuar herën e parë që një kriminel droge kthehej nga Dubai në zbatim të kësaj marrëveshje. Tani Franc Çopja qëndron në një qeli në Belgjikë. Ndërsa perandoria e tij tashmë është rrëzuar dhe e ardhmja e tij duket e zymtë. Hetimi dhe goditja e aktivitetit të tij të paligjshëm, ishin një dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit ndërkombëtar dhe vendosmërisë së autoriteteve ligjzbatuese për të rrëzuar një nga bosët e drogës më famëkeq të kohës së sotme. Kështu e konsideron drejtësia belge Franc Çopjan, për të cilët ishte një arritje e jashtëzakonshme fakti se terrori i tij mori fund.

Kjo është vetëm njëra anë e historisë së liderit të klanit Çopja, ashtu siç e shohin autoritetet belge. Por në Shqipëri ka edhe një tjetër anë. Këtu, historia e tij dhe e dy vëllezërve, përfshirë edhe ata që punonin për ta, është rrëfyer nga dy bashkëpunëtorë të drejtësisë, Nuredin Dumani dhe Erion Alibej.

Në një operacion që përveç autoriteteve shqiptare përfshiu edhe disa shtete të Bashkimit Evropian, të zhvilluar më 31 korrik 2024, u ekzekutuan disa urdhër-arreste, nga 33 që ishin firmosur nga SPAK. Autoritetet shqiptare, në bashkëpunim me Europolin dhe organet ligjzbatuese belge, holandeze dhe franceze, arrestuan 15 anëtarë të dyshuar të klanit Çopja, një organizatë shqiptare që po hetohej nga të gjitha këto vende. Përpjekja e koordinuar, e quajtur operacioni GORGON, kulmoi me një seri kontrollesh të kryera në Tiranë, kundër figurave kyçe brenda rrjetit kriminal. Për pasojë u sekuestruan pasuri të konsiderueshme, përfshirë pasuri të paluajtshme dhe 1 milion euro cash. Nga vetë emri që u kodua ky operacion, GORGON, që vjen nga mitologjia greke, ndryshe e njohur edhe si Meduza, duket se përshkruan tiparet e kësaj organizate kriminale, mizore dhe e frikshme.

Prokuroria e Posaçme pas përfundimit të këtij operacioni, njoftoi zyrtarisht se hetimet kishin nisur në kuadër të procedimit penal nr.75, të vitit 2022, ku objekt ishte veprimtaria kriminale e një organizate kriminale, e cila kishte bazën në qytetin e Elbasanit. Kjo organizatë drejtohej nga vëllezërit Franc Gergely (ndryshe Franc Çopja) dhe Hajdar Çopja. SPAK, në bashkëpunim intensiv me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese holandeze, belge dhe franceze, ka zhvilluar hetime lidhur me disa shtetas shqiptarë të përfshirë në aktivitete kriminale në Shqipëri, si dhe në disa vende të tjera në Evropë. Po ashtu është hetuar dhe lidhur me disa ngjarje kriminale të mëparshme të ndodhura në Shqipëri. Hetimet kanë provuar se kjo organizatë kriminale dallohet për shkallën e veçantë të strukturimit, qëndrueshmërisë, kohëzgjatjes së saj, qëllimit për kryerjen e disa vepra penale dhe fuqisë së saj financiare. Dyshohet se veprimtaria kriminale e dy vëllezërve Çopja, daton rreth viteve 2006–2007, ku fillimisht e kanë ushtruar aktivitetin kriminal në Itali duke shpërndarë në sasi të vogla lëndë narkotike të llojit kokainë. Me kalimin e viteve ata u fuqizuan shumë nga shitja dhe trafikimi i drogës, ku nga Italia e zgjeruan aktivitetin e tyre kriminal edhe në vende të tjera të Evropës dhe më gjerë. Gjithashtu, me kalimin e viteve u rrit potenciali i tyre ekonomik dhe si rrjedhojë pozita e tyre në raport me grupet e tjera ndryshoi pasi ata krijuan kontakte, të cilat iu dhanë më pas mundësi për të krijuar lidhje të drejtpërdrejta me eksponentë të rëndësishëm të trafikut të narkotikëve. Për të zotëruar tregun dhe për të krijuar hegjemoninë e tyre ndaj grupeve të tjera, kjo organizatë kriminale në vitin 2018 filloi eliminimin e kundërshtarëve nëpërmjet vrasjeve me pagesë, të cilët kishin një rol të rëndësishëm në trafikun e drogës në Evropë dhe më gjerë.

Nga ana tjetër, për operacionin e suksesshëm foli zyrtarisht edhe Eurpol, që e quan klanin Çopja një grup të profilit të lartë shqiptar të krimit të organizuar që ishte i strukturuar në mënyrë hierarkike, me degë që vepronin ndërkombëtarisht.

Banda përbëhej kryesisht nga familjarë dhe bashkëpunëtorë nga e njëjta zonë në Shqipëri. Anëtarët e grupit dyshohet se janë përgjegjës për vrasje të shumta me pagesë, trafik në shkallë të gjerë droge dhe pastrim të fitimeve të paligjshme nëpërmjet transaksioneve komplekse të kriptomonedhave. Mes të arrestuarve është edhe një pastrues parash me qendër në Tiranë, i cili u ofronte shërbimet e tij disa grupeve të tjera kriminale të nivelit të lartë të angazhuar në nivel ndërkombëtar në vrasje, korrupsion dhe trafik në shkallë të gjerë droge, ndër aktivitete të tjera kriminale. Hetimi zbuloi gjithashtu se si kreu i këtij grupi të krimit të organizuar dhe bashkëpunëtorët e tij urdhëruan vrasjen e disa anëtarëve të grupeve të tjera kriminale shqiptare duke kontraktuar vrasës. Të paktën shtatë vrasje i janë atribuuar këtij grupi specifik kriminal midis viteve 2019 dhe 2020, një numër prej të cilave janë kryer jashtë Shqipërisë.

Hetimet e SPAK zbuluan se vëllezërit Çopja dyshohet të kenë porositura 14 ekzekutimeve, ndërsa gjithashtu është dokumentuar pjesëmarrja e tyre në organizimin e grabitjes në pistën e Aeroportit të Rinasit në vitin 2019. Gjatë hetimeve intensive të kryera nga hetuesit e BKH-së, nën drejtimin e prokurorëve të posaçëm, është bërë e mundur dokumentimi i aktivitetit kriminal të personave të dyshuar, si dhe identifikimi i disa prej autorëve të ngjarjeve kriminale dhe të kryerjes së veprave penale, që janë kryer në bashkëpunim, në formë e organizatës kriminale. Ngjarje të tilla si:

Vrasja në rrethana cilësuese e Endrit Alibejt, Arben Dylgjerit dhe shtetasit turk Erdal Duranay, ngjarje e ndodhur më 29 dhjetor të vitit 2018, në Bradashesh;

Vrasja në rrethana cilësuese e Klevin Bahos dhe plagosja e vëllait të tij, Aldo Baho”, ngjarje e ndodhur në korrik të vitit 2019, në fshtin Broshkë të Elbasanit;

Vrasja në rrethana cilësuese e Andi Zylyfit dhe plagosja e Ardit Uruçit, ngjarje e ndodhur më 13 dhjetor 2019, në fshatin Përparim të Peqinit;

Vrasja e Klevis Kapllanit e ndodhur më 15 shtator 2020, në fshatin Sinaballaj të Rrogozhinës;

Vrasje e mbetur në tentativë e Kei Pikut, ngjarje e ndodhur më 16 janar 2020, në lagjen “Kongresi i Elbasanit”;

Vrasje e mbetur në tentativë e Irfan Azizit, ngjarje e ndodhur në nëntor të vitit 2020, afër rrethrrotullimit të Poshnjës në Urën Vajgurore;

Vjedhja me armë e mbetur në tentativë dhe tentativa e vrasjes së punonjësit të Policisë së Shtetit Minella Muçi, më 23 mars 2018, në lagjen “28 Nëntori”, në Fier;

Vjedhja me armë e vlerave monetare që do transportoheshin me linjën e avionit Tiranë – Vjenë, ngjarje e ndodhur më datë 9 prill 2019, në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas.

Hetimet e SPAK kanë lidhur me organizatën kriminale të paktën një prej ish- gjyqtareve të Elbasanit, Pajtime Fetahun, e cila dha dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë më 16 nëntor 2022, vetëm pak ditë para kur duhej t’i nënshtrohej procesit të vetingut. Gjithashtu edhe një punonjëse të administratës së gjykatës, 2 oficerë policie dhe zëvendësdrejtorin e burgut të Bradasheshit, Martin Musaj. Sipas hetimeve, të paktën deri në këtë fazë, bëhet fjalë për një rast korrupsioni në gjyqësor, pasi dyshohet se një prej punonjësve të Gjykatës së Elbasanit ka ndarë të dhëna sekrete me organizatën kriminale.

E sigurisht, financat janë fuqia e çdo organizate kriminale dhe organet ligjzbatuese synojnë dobësimin e tyre pikërisht duke i goditur edhe aty. Pavarësisht se klani Çapja konsiderohet si një perandori jo vetëm kriminale, por edhe financiare, gjatë operacionit u arrit të sekuestrohet 1 milion euro cash. Paratë u gjetën të groposura në oborrin e shtëpisë së Hajdar Çopjas. E gjithë sasia monetare, e valutave të ndryshme është mbyllur në një llogari bankare që administrohet nga SPAK. Nga ana tjetër, hetuesit besojnë se përmes bisedave të zhvilluara në SKY, kanë zbardhur dhe linjën e transferimit të parave nga disa shtete të huaja drejt Shqipërisë. Disa prej transfertave kryesore janë kryer përmes një pike të këmbimit valutor që administrohet nga Maklen Mici dhe Bashkim Lika, të dy të vënë nën hetim nga SPAK për akuzën e “Pastrimit të produkteve të veprës penale”. Kjo pikë e këmbimit valutor, që prej 13 shtatorit të vitit 2007 ndodhet në rrugën “4 shkurti” përballë Bankës së Shqipërisë në Tiranë, ku 60 për qind të aksioneve i zotëron Bashkim Lika dhe 40 për qind të pronësisë së saj i zotëron Maklen Mici. Të njëjtët persona, më 24 mars 2023 kanë regjistruar një kompani ndërtimi, duke synuar ndërtimin e objekteve të banimit në Tiranë. Sipas SPAK, nga kryerja e hetimeve intensive janë përftuar të dhëna me interes në lidhje me pasuritë, investimet dhe pasuritë e vëllezërve Çopja në Shqipëri, format e përdoruara prej tyre, si dhe personat e përfshirë në procesin e pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.

Hajdar Bako i njohur edhe me mbiemrat Hysa dhe Çopja, 40 vjeç, i shpallur në kërkim nga SPAK gjatë operacionit GORGON, është arrestua në Dubai me 22 maj te vitit 2024 pasi ishte dënuar me 4 vjet burgim, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”. Ndërsa, të paktën zyrtarisht, rezulton të ketë qenë në Shqipëri më 6 shkurt të vitit 2021. Ngjarja për të cilën ai është deklaruar fajtor, ka ndodhur në vitin 2017, në fshatin Katund i Ri, ku Hajdar Çopja, i njohur si “Dari i Elbasanit”, së bashku me 4 persona të tjerë, u përfshi në një konflikt, gjatë të cilit është qëlluar me armë zjarri dhe janë plagosur 3 persona. Çopja u përplas me Alfred Gjinin, Klevis Gjinin dhe Emiljano Gjinin. Ndërsa mbeti edhe vetë i plagosur në këtë ngjarje, bashkë me tre kundërshtarët.  Emri i Hajdar Çopjas, ishte bërë i njohur për prokurorët, pasi doli nga dëshmia e Nuredin Dumanit, i cili deklaronte se ishte një nga personat që kishte paguar për ta vrarë. Dumani ka dëshmuar se grupi i Erion Alibej me pseudonimin “Krymi” dhe grupi i Hajdor Çopja, i thirrur shkurtimisht “Dari”, janë vënë në garë për të eliminuar njëri-tjetrin. Vetë Nuredin Dumani atë kohë pranoi para prokurorëve të SPAK se kishte mbajtur kontakte me dy grupet rivale në Elbasan, atë të Erion Alibej dhe Hajdar Çopjas.

Arjan Spahiu, që mbeti i vrarë në Belgjikë, ka qenë në listë për t’u ekzekutuar nga vëllezërit Çopja, të cilët janë financuesit. Talo Çela, më ka thënë mua që nëse kryeja vrasjen e Arjan Spahisë, do më jepte 300 mijë euro.

Të tre vëllezërit Çopja, Hajdari, Ervini dhe Franci janë përmendur në dëshminë e dhënë në SPAK nga Nuredin Dumani, i cili i identifikon si financues, për vrasjen e Arjan Spahiut në Belgjikë, ekzekutimin e trefishtë në Bradashesh dhe planet për të vrarë Erion Alibejn. Po ashtu, edhe vetë Erion Alibej, pas arrestimit i ka akuzuar si personat që kanë vrarë njerëzit e tij të afërt.

Arjan Spahiu dhe Erion Alibej apo edhe Rigers Spahiu që u arrestua më 20 tetor 2022 bëjnë pjesë tek grupi i “Tarzanit”. Ky grup ka marrë këtë emër, pasi udhëhiqej nga Endrit Alibej, i cili njihej ndryshe me nofkën “Tino” në Itali. Dy vëllezërit Alibej dyshohet se drejtonin një grup të trafikut të drogës nga Holanda. Ndërsa dyshoheshin për trafikim dhe shpërndarje lënde narkotike në veri dhe në qendër të Italisë. Por, përplasja mes dy grupeve kriminale dyshohet se ka nisur në Mbretërinë e Bashkuar, pas zhdukjes së 50 kilogramëve kokainë. Endrit Alibej u ekzekutua në dhjetor të vitit 2018 në afërsi të Kombinatit Metalurgjik, në Bradashesh bashkë me turkun Erdal Durunay  dhe kushëririn e tij Arben Dylgjeri. Kjo masakër, brenda një kohe të shkurtër prodhoi edhe 6 të vrarë të tjerë. Ekzekutime, të cilat sipas grupit hetimor ndodhën nga përplasja e dy grupeve kriminale dhe si motiv kishte prishjen e pazareve të drogës.

Një vit më vonë, në dhjetor të vitit 2019, u ekzekutua një tjetër anëtar i grupit Alibej. Bëhet fjalë për vrasjen e Andi Zylyfit, i cili ishte djali i hallës së Endrit Alibejt. Ngjarja ndodhi në fshatin Përparim, në rrugën nacionale Elbasan-Peqin, teksa ndodhej në makinë me Ardit Uruçin, mikun e tij që fatmirësisht i shpëtoi atentatit. Shtatë muaj pas kësaj ngjarje, ndodh një tjetër vrasje. Mesnatën e 1 korrikut të vitit 2020 qëllohet drejt vëllezërve Klevi dhe Aldo Baho. Nga të shtënat me breshëri mbeti i vrarë Klevi Baho, ndërsa u plagos i vëllai. Më pas u ekzekutuan edhe Emiljano Ramazani, Regis Runaj dhe Bujar Çela, vëllai i Talo Çelës.

Erion Alibej, i cili tashmë ndodhet në burg, në një moment pranon të bashkëpunojë dhe kthehet në të penduar të drejtësisë. Por rrëfimin e bën para prokurorëve belgë, të cilët kishin ardhur në Shqipëri në lidhje me hetimin e vrasjes së Arjan Spahiut që kishte ndodhur në vendin e tyre. Alibej më në fund pranon se të gjitha ngjarjet, vrasjet e njerëzve të tij, kishin ndodhur për shkak të përplasjes me vëllezërit Çopja dhe klanin e tyre. Megjithëse ai nuk pranonte se shkëndija që solli përplasjet e përgjakshme ishte droga e zhdukur në Angli. Madje deklaronte së vëllai i tij dikur kishte pasur miqësi me Çopjat. Pjesë e këtij grupi është edhe Mikel Kamami, i cili njihet si “Keli i Kiçit” dhe po ashtu ndodhet në Dubai. Në dëshminë e tij dhënë para prokurorëve belgë, Erion Alibej ka sqaruar historinë e përplasjes me grupin Çopja.

Ai ka treguar se personi i vrarë në Belgjikë, Arjan Spahiu, të cilin ai e quan me emrin tjetër që e njihnin, Ardit, ishte vëllai i burrit të motrës së tij, por ai kishte më shumë afrimitet me të vëllain, Endrit Alibejn. Erion Alibej thotë se në kohën kur ndodhi vrasja e Spahiut, ai ka qenë në burg dhe është njoftuar nga kunati me telefon. Për momentin se si ka ndodhur ngjarja, ai nuk ka pasur shumë informacion, pasi ka mësuar vetëm nëpërmjet atyre çfarë i kanë thënë në telefon. Ndërsa për aktivitetin që bënte Spahiu, ka sqaruar se merrej me përzierjen e kokainës kundrejt çmimeve që i jepnin persona që u bënte këtë shërbim.

Jam i sigurt që kanë paguar për vrasjen e tij, sepse Arditi po zbulonte planet e tyre. Me punën që bënte Arditi dhe duke menduar një grup si i Çopjave, që merrej me kokainë, lidhjet që kanë ata dhe lekëve që disponojnë mund të kenë futur çdokënd në mes për të marrë informacion, po ashtu edhe ndonjë shokun e ngushtë të Arditit për të identifikuar atë dhe lëvizjet e tij. Unë di që Arditi ka qenë i rrezikuar sepse ai ka qenë njeriu i vetëm që ka hulumtuar nga radhët tona për të marrë vesh se si kanë ndodhur ngjarjet, kush ishin ata, si edhe që mësoi për veten e tij që po e kërkonin për ta vrarë.

Me sa më ka thënë Arditi dhe në biseda vërdallë flitet për miliona euro për vrasjet me pagesë. Për ne, kundërshtarët tanë janë familja Çopja, sepse ne kemi investuar shumë nga vetja për ta marrë vesh këtë gjë. Franc Çopja është më i vogli, nga 3 vëllezërit por më i rëndësishmi pasi ka lidhjet me bizneset e lëndëve narkotike. Nga ai kanë ardhur pasojat e ngjarjeve që kanë ndodhur aktualisht, pasi ata mbështeten te një shoku i tyre që kanë 5 vite që e njohin, që quhet Mikel Qosja (Kamami), i cili është në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e vëllait tim. Ai jeton në Dubai me familjen, nusen dhe një vajzë. Franci ka miq marokenë dhe shkon shpesh në Marok ku thonë se ka investuar në atë vend. Marokenin e thërrasin “Baloti”. Ai është një person shumë i njohur në të gjithë botën dhe ky e ka ndihmuar shumë duke i hapur rrugët në trafikimin e kokainës. Sot e kësaj dite ata ia kanë pranuar të gjithëve në Dubai që janë organizatorët e këtyre ngjarjeve.

Erion Alibej ka folur edhe për aktivitetin kriminal të klanit Çopja, trafikun e kokainës dhe të ardhurat e tyre. Sipas tij, një ngarkesë prej 600 kilogramë kokainë e kapur në Brazil, me logon e një ekipi futbolli në Elbasan, ka qenë e tyre. Ndërsa paratë që përfitonin nga ky aktivitet, ai thotë se i kanë investuar në Dubai, ku kanë blerë shtëpi në zonat më luksoze.

Ne me vëllezërit Çopja kemi pasur lidhje dhe vëllai im Endriti shoqërohej me ta. Në bazë të analizave të mia, duke filluar nga ngjarja e parë kur u vra vëllai im dhe sot e kësaj dite, mendoj se përplasja ka lindur si pakënaqësi dhe inate të brendshme apo sedre të atyre, që kur vëllezërit Çopja bënë një tentativë vrasje në Elbasan ndaj disa personave të tjerë. Ngjarje e cila është hetuar nga policia e Elbasanit, midis vëllezërve Çopja dhe një personi të quajtur Ervis. Endriti nga grupi tjetër i Ervisit, njërin nga vëllezërit e tij e kishte shumë shok. Njëri nga ato persona i ka kërkuar Endritit para borxh, diku te 30 mijë euro. Në momentin që familja Çopja e mori vesh nuk i erdhi mirë dhe filloi të fliste që Endriti nuk bëri mirë që ua kishte dhënë paratë. Kam dëgjuar se familja Çopja ka qenë ortake me një anglez. Ato e kanë bërë vetë lojën që t’i merrnin anglezit 25 kg nga 50 sa ishte sasia. Nëpërmjet një personi, ‘Liçja’ që çuan tek anglezi me pretendimin që ky ishte personi që kishte mallin dhe ky e humbi. Liçja mesa di unë quhet Ilir Lloshi nga Elbasani, është gjallë dhe është moshatar me Çopjat. Unë shtroj pyetjen si ka mundësi që Liçja është gjallë dhe njerëzit e mi janë vrarë kur supozohet se zanafilla e vrasjeve është 50 kg i kokainës.

Atentati tjetër, sipas Erion Alibejt është bërë ndaj shokut të tij të fëmijërisë dhe ka pasur një viktimë dhe një të plagosur që janë dy vëllezër, Aleksandër Baho dhe Klevi Baho, ku ky i fundit u vra. Pas kësaj ata vranë edhe djalin e dajës së tij Andi Zylyfi, si edhe Ardit Spahiun. Erion Alibej dëshmon se në Shqipëri, të gjitha organizimet e atentateve janë kryer nga Mikel Qosja ose Kamami.

Sipas të dhënave që kemi dhe ato që ka zbuluar Arditi, njëri nga këto organizatorë është edhe Talo Çela nga Elbasani, për të cilin unë besoj se ka qenë në të gjitha atentatet e vrasjeve. Unë e pyeta Arditin si e gjete këtë informacion dhe mbaj mend se më ka thënë se ato kanë bërë një takim Mikeli dhe Talo, si dhe një djalë tjetër me emrin Altin, të cilët  kanë takuar një person që mua më ka ardhur dhe në varrim për respekt dhe quhet Dorjan Dule ose Duli. Sipas Arditit, Mikel Qosja, Talo Çela dhe Altini, kur kanë shkuar në takim me Dorjanin, e kanë provokuar duke i thënë se të kemi përgjuar kur ke qenë në varrim të Endrit Alibej dhe ne dimë që do të na vrasësh ne, por sa para do ti dhe na vrit Erionin dhe Ardit Spahiun ose në të kundërt hiq dorë dhe largohu. Talo Çelën unë s’e kam njohur kurrë personalisht por figurën e tij unë kam filluar ta njoh kur filloi të dilte emri i Çopjave, nga ku doli edhe emri i tij.

Pra, nga dëshmia, për të gjitha këto vrasje, Erion Alibej akuzon klanin Çopja dhe Mikael Kamanin. Por, edhe nga dëshmitë e Nuredin Dumanit, kuptohet se porositësit e vrasjes së Arjan Spahiut janë vëllezërit Çopja. Dumani ka deklaruar se për vrasjen e Arjan Spahiut ishin ofruar 300 mijë euro.

Arjan Spahiu, që mbeti i vrarë në Belgjikë, ka qenë në listë për t’u ekzekutuar nga vëllezërit Çopja, të cilët janë financuesit. Talo Çela, më ka thënë mua që nëse kryeja vrasjen e Arjan Spahiut, do më jepte 300 mijë euro. Kel Kamami, ka dashur të organizojë një atentat që ta bënte me hedhjen në erë të gjithë pallatin, ku jetonte, Erioni Alibej. Flitej për një shumë që shkonte në 2 milion euro për të realizuar këtë atentat. Keli ma ka çuar dhe SMS, pseudonimin e Erion Alibej, që sipas tij ishte “Krymi”. Këtë fakt unë ia thashë Arjanit.

Dëshmitë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë, sado që mund të merren me rezerva, duket se zbardhin gjithçka. E tashmë, duket se nuk ka më dyshime për vërtetësinë e tyre. Bisedat në SKY dhe shumë prova të tjera të renditura në dosjen e SPAK flasin qartë. Organizimi i vrasjeve me pagesë në Belgjikë e Shqipëri, trafikimi i tonelatave kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës, mban firmën e vëllezërve Çopja. Ata që për shumë vite qëndruan në hije, duke blerë madje edhe drejtësinë në disa raste, duket se bënë ligjin kudo. U kthyen në të paprekshëm, derisa Belgjika arriti të izolojë në burg drejtuesin e tyre, Franc Çopjan. E mori nga kështjella e tij në Dubai, atëherë kur askush nuk e besonte dhe sot ka nisur çmontimi i organizatës më te rrezikshme, ashtu siç vetë belgët e konsideronin. Shumë prej anëtarëve të këtij klani u arrestuan dhe shumë të tjerë, që përfliteshin për dhjetëra krime dolën sërish në skenë, ndonëse ende nuk dihet asgjë për fatin e tyre, ashtu sikurse Talo Çela. Por 33 urdhër arreste, duket se janë vetëm maja e ajsbergut të një perandorie kriminale. Megjithatë duket se kjo perandori nisi të shembej në dhjetor të vitit 2023, mbrëmjen kur Franc Çopja zbriti nga avioni privat me pranga në duar dhe u izolua në burg në Belgjikë. Të tjerët me shumë mundësi do i shkojnë pas.

abc news

Advertisement