✦
Thinking ...
Connect with us

Sport

NUK E MORI KOT PASAPORTEN SHQIPTARE/ DUKA ZBULON DETAJE NGA PLANI PER PORTIERIN ITALIAN

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka konfirmuar interesin konkret të FSHF-së për të afruar në Kombëtaren shqiptare portierin italian Elia Caprile. Pajisja e tij me pasaportë shqiptare nuk është një procedurë e rastësishme, por pjesë e një lëvizjeje që synon ta bëjë gardianin pjesë të skuadrës kuqezi.

Duka pranoi se ekziston dëshira për ta parë portierin në përfaqësuesen shqiptare, duke vlerësuar cilësitë e tij sportive dhe potencialin për të ndihmuar ekipin kombëtar.

“Ka diçka të vërtetë. Tashmë Caprile është pajisur me pasaportë shqiptare, me objektivin për të qenë pjesë e ekipit kombëtar shqiptar. Kjo është procedurë, e cila duhet të ndiqet nga ne. Nëse do më pyesni, nga kualiteti sportiv besoj se ka shumë kualitet për ta ndihmuar Kombëtaren shqiptare”, deklaroi kreu i FSHF-së.

“Nuk e ka marrë pasaportën kot”, Duka flet për lidhjen me Shqipërinë

Një tjetër element që e bën interesant këtë rast është edhe mosha e Caprile-s. Sipas Dukës, portierët kanë një jetëgjatësi më të madhe sportive në krahasim me lojtarët e reparteve të tjera, çka e bën italianin një alternativë me perspektivë për të ardhmen e portës shqiptare.

“Është moshë relativisht e re, nëse llogarisim edhe për sa vite luajnë portierët. Nuk është një rrufe në qiell të hapur. Ka një lloj lidhje me Shqipërinë. Nuk është se e ka marrë këtë pasaportë kot”, u shpreh Duka.

Pasaporta shqiptare e Caprile-s u bë e mundur edhe përmes lidhjes së tij familjare me Shqipërinë, pasi bashkëshortja e tij, Emili Toshkollari, është shqiptare.

Pengesa që mund të bllokojë afrimin te Shqipëria

Megjithatë, marrja e pasaportës nuk do të thotë automatikisht se Caprile mund të veshë fanellën e Kombëtares.

Përveç shtetësisë, rregullat e FIFA-s kërkojnë përmbushjen e kritereve specifike për të përfaqësuar një tjetër kombëtare. Këto lidhen me vendlindjen, prejardhjen familjare apo periudhën e qëndrimit në vendin përkatës.

Aktualisht, portieri nuk i përmbush kriteret sportive të nevojshme për të ndryshuar përfaqësuese, ndaj çështja mbetet e hapur dhe kërkon plotësimin e kushteve të përcaktuara nga FIFA.

Duka, nga ana tjetër, nuk e përjashton mundësinë që kjo lëvizje të konkretizohet në të ardhmen.

“Nëse do e kemi në ekipin kombëtar, do të jetë vlerë e shtuar. Nuk është një gjë që mund të ndodhë sot”, përfundoi presidenti i FSHF-së.

Kështu, FSHF-ja ka konfirmuar interesin për një portier që vlerësohet si një alternativë cilësore për kuqezinjtë. Por mes pasaportës shqiptare dhe debutimit me Kombëtaren ekziston ende një pengesë e rëndësishme: rregullorja e FIFA-s.

Advertisement