✦
Thinking ...
Connect with us

Sport

BOMBA NGA L’EQUIPE: ZIDANE DHE MBAPPE NE KRIZE, KOMUNIKIMI MES TYRE THUAJSE ZERO

Marrëdhënia mes Zinedine Zidane dhe Kylian Mbappe nuk po ecën në mënyrën më të mirë të mundshme. Vetëm pak muaj pas nisjes së aventurës së tyre të përbashkët në Kombëtaren franceze, mes trajnerit dhe kapitenit kanë lindur disa mosmarrëveshje, të cilat tashmë kanë dalë në sipërfaqe.

Sipas raportimit të “L’Equipe”, raporti mes dy figurave nuk është aq harmonik sa ai që Mbappe kishte krijuar me ish-trajnerin Didier Deschamps.

Një nga shkaqet kryesore të tensionit lidhet me zgjedhjen taktike të Zidane në ndeshjen kundër Turqisë. Trajneri vendosi ta aktivizonte yllin e Real Madrid-it në krahun e majtë, duke i besuar Ousmane Dembele pozicionin në qendër të sulmit. Një vendosje që nuk është pritur mirë nga Mbappe, i cili tashmë preferon të luajë si sulmues qendre.

Zidane duket se e ka kuptuar pakënaqësinë e kapitenit dhe, gjatë prezantimit të listës së fundit, konfirmoi se në grumbullimin e nëntorit Mbappe do të ketë mundësinë të luajë në pozicionin e tij të preferuar, në majë të sulmit. Franca do të përballet me Italinë dhe Turqinë në Nations League.

Megjithatë, mosmarrëveshjet nuk kufizohen vetëm te aspekti sportiv. Sipas “L’Equipe”, gjatë grumbullimit të kaluar komunikimi mes Zidane dhe Mbappe ka qenë pothuajse inekzistent.

Sulmuesi vuante gjithashtu nga një sëmundje, që e detyroi të qëndronte pjesën më të madhe të kohës në dhomën e tij në qendrën stërvitore të Clairefontaine, përpara se të largohej drejt Madridit për shkak të dëmtimit.

Ironia është se të dy jetojnë në Madrid, por kjo afërsi nuk ka shërbyer për të krijuar një raport më të ngushtë mes tyre. Përkundrazi, situata duket se kërkon ndërhyrjen e trajnerit, i cili dëshiron të riparojë marrëdhënien me kapitenin e tij.

Kjo situatë vjen në një moment kur edhe raporti i Mbappe me disa prej shokëve të skuadrës, veçanërisht me Dembele, raportohet se është ftohur.

Zidane përballet kështu me një sfidë të rëndësishme: të ruajë autoritetin e tij në dhomat e zhveshjes dhe njëkohësisht të sigurojë harmoninë me lojtarin më të rëndësishëm të Francës.

Advertisement