Aktualitet
“Burri një muaj pa kimioterapi”/ Deklarata e trishtë e qytetares: Në Onkologjik nuk ka ilaçe
Një paciente e Spitalit Onkologjik ka rrëfyer gjatë protestës para Kryeministrisë vështirësitë me të cilat po përballet ajo dhe bashkëshorti i saj në luftën kundër kancerit, duke ngritur shqetësimin për mungesën e medikamenteve dhe vonesat në kryerjen e ekzaminimeve.
Në një intervistë për News24, me gazetarin Osman Stafa, gruaja tregoi se prej tre vitesh është paciente në Onkologjik, ku ka kryer edhe një ndërhyrje kirurgjikale në gjoks. Ndërkohë, bashkëshorti i saj vuan nga kanceri në mushkëri dhe, sipas dëshmisë së saj, nuk ka mundur të vijojë kimioterapinë për shkak të mungesës së medikamentit Docetaxel.
Ajo thotë se bashkëshorti duhej të kryente seancën e tretë të kimioterapisë, të planifikuar çdo 15 ditë, por trajtimi është ndërprerë që prej 28 shtatorit. Familja, sipas saj, është drejtuar pranë institucioneve shëndetësore, por nuk ka marrë një përgjigje konkrete për sigurimin e ilaçit.
“Burri duhet të merrte seancën e tretë të kimioterapisë. Seancat duhet t’i bëjë një herë në 15 ditë, por që nga data 28 shtator nuk e ka bërë më. Docetaxeli mungon dhe nuk mund ta bëj as jashtë vendit, sepse ka edhe efekte anësore”, rrëfeu ajo.
Një tjetër shqetësim që ngriti qytetarja lidhet me ekzaminimin PET Scan, të cilin bashkëshorti duhej ta kishte kryer disa muaj më parë. Sipas saj, familjes i është thënë se ekzaminimi mund të ofrohet në vitin 2027, ndërsa në një klinikë private kushton rreth 1600 euro.
“PET Scan-in duhet ta kishte bërë para 6-7 muajsh. Na thonë se do të vijë në vitin 2027. Po ku ta bëj? Më thonë ta bëj në privat, por kushton 1600 euro. Ku t’i gjej unë këto para? Kush do të na përgjigjet ne?”, u shpreh ajo.
Gruaja tregoi se ajo dhe bashkëshorti kanë punuar përkatësisht 32 dhe 42 vite, ndërsa sot, sipas saj, ndihen të pambështetur në përballjen me sëmundjen. Ajo tha se kanë lënë kontaktet pranë institucioneve shëndetësore, por nuk janë telefonuar për një zgjidhje të situatës.
Duke folur për arsyen e pjesëmarrjes në protestë, qytetarja iu drejtua edhe kryeministrit Edi Rama, duke kundërshtuar thirrjet për dialog në kushtet kur, sipas saj, pacientët nuk kanë akses në trajtimin e nevojshëm.
“Shteti na ka lënë në këtë gjendje, ose të vdesim, ose të bëjnë çfarë të duan. Shteti ka rënë në tokë. Këtë nuk ia falim! Kryeministri thotë: ‘Hajde në dialog’. Të vijë të bëjë dialog me mua! Nuk ke ilaçe për të shëruar njerëzit, çfarë dialogu kërkon?!”, deklaroi ajo.
Në fund, gruaja u bëri thirrje të rinjve që të vijojnë protestën. Pretendimet e saj për mungesën e Docetaxel-it dhe pritjen për PET Scan ngrenë pikëpyetje mbi furnizimin me medikamente dhe aksesin në ekzaminimet onkologjike, për të cilat nevojitet edhe një reagim sqarues nga institucionet përgjegjëse.