Kosova
Kurti thotë se konsultohet me aleatët, por vendimet i merr vetë: Është një rrezik që gjithmonë ia vlen
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një interviste për Qendrën Kulturore “Struga” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është pyetur për guximin për të ndërmarrë veprime të pakoordinuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian në Veri, teksa kryeqeveritari kosovar është përgjigjur se Kosova është shtet i pavarur, duke shtuar se “është një rrezik që gjithmonë ia vlen”.
“Është një rrezik që gjithmonë që ia vlen ta marresh, meqenëse parimësia është e drejtë. Kjo nuk do të thotë që nuk kemi strategji, por nuk jemi dakord me veprime strategjike pa asnjë parimësi vlerore. Me SHBA-në, BE-në dhe me NATO-n ndajmë në mënyrë të plotë vlera të përbashkëta, por edhe interesa e qëllime të njëjta” – deklaroi Kurti duke theksuar, sic dhe u shpreh ai, se “në Kosovë natyrisht që jemi qeveri demokratike e një shteti të pavarur dhe duhet të marrim vetë vendime për veten tonë, por konsultohemi me miqtë partnerët dhe aleatët, por barrën e përgjegjësisë duhet ta marrim ne vetë”.
Megjithatë, Kurti nënvizoi se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri, miku dhe aleati më i madh dhe i pazëvendësueshëm I Kosoves”.
Gjatë intervistës, ai gjithashtu komentoi epitetin “antiamerikan” që i është vënë nga opozita në Kosovë, duke potencuar se kundërshtarët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Qeverisë duke mos arritur që të gjejnë argumente racionale, bëjnë konstatime të tilla irracionale.
“Dhe nuk bëhet fjalë për kurrfarë anti-amerikanizmi tek kushdo nga kabineti ynë qeveritar apo lëvizja jonë politike, përkundrazi, por ata të cilët bëjnë akuza të tilla, më shumë shprehin dëshpërimin opozitar sesa ndonjë kritikë të vlefshme”- theksoi Albin Kurti