Aktualitet
Berisha për arrestimin e Metës: Terroristët e armatosur i zunë pritë dhe e rrëmbyen, kishin urdhër të…
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar sërish nga ballkoni i banesës së tij për arrestimin e ish-Presidentit, Ilir Meta.
Berisha e quajti si një “akt makabër publik i rrëmbimit teksa futej në Tiranë”, momentin e arrestimit të kreut të Partisë së Lirisë.
“Akti makabër publik i rrëmbimit tek futej në Tiranë, tek kthehej në zyrën e tij, me banditë të armatosur dhe të maskuar, i zvarritjes dhe goditjes të ish-presidentit është një akt i paregjistruar në dekadat e fundit në asnjë vend të planetit tonë, demokraci apo diktaturë qoftë ai”, tha Berisha.
“Një akt të tillë publik, në të cilin ju garantoj se terroristët e armatosur që i zunë pritën, kishin urdhër dhe të gatshëm të shkrehnin të gjithë karikatorët mbi Ilir Metën, riprovon pra aktin publik të të atit të tij, por natyrisht ligjet e asaj kohe parashikonin varjen për armiqtë, kurse Edi Rama zuri pusi për ta rrëmbyer ose për ta ekzekutuar në vend një njeri që kishte kryer të gjitha funksionet në këtë shtet, nuk po largohej, por po shkonte drejt zyrave të tij”, tha më tej Berisha.