Politike
Bardhi sulmon ambasadorin e BE: Fshehja e realitetit pas fjalëve të bukura nuk e ndihmon Shqipërinë
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i është përgjigjur deklaratës së ambasadorit të BE, Silvio Gonzato, që tha se është kundër dhunës nga opozita dhe se kjo e fundit duhet të gjejë alternativa të tjera për dialogun politik.
Ndërsa ka ndarë një foto të deputetëve të përjashtuar jashtë Kuvendit, Bardhi shkruan kjo është situata e vërtetë dhe fshehja e realitetit nuk e ndihmon Shqipërinë.
Kujtojmë që ka qenë djegia e karrigeve dhe kaosi i shkaktuar para Kuvendit ajo që ndikoi në marrjen e vendimit nga Sekretariati i Etikës, ku u përjashtuar 24 deputetë të PD nga jeta parlamentare, për periudha të ndryshme kohore.
“Bëhet thirrje që opozita të luaj rolin e saj brenda Parlamentit; ndërkohë mundësia e opozitës për të hyrë brenda dhe pastaj për të patur mundësi të luaj rolin e saj brenda Parlamentit paraqitet kështu në realitet!
Fshehja e realitetit/të vërtetës pas fjalëve të bukura, nuk e ndihmon Shqipërinë! Realiteti/e vërteta është që opozita është përjashtuar nga Kuvendi PA LIGJ dhe me një rregull që është shfuqizuar prej 6 muajsh nga Gjykata Kushtetuese.
Parlamentarizimi ka në themel të tij respektimin e Kushtetutës, si mundësia e vetme e bashkëjetesës mes palëve që mendojnë ndryshe. Nëse shkelet Kushtetuta në vazhdimësi mundësia për bashkëjetesë parlamentare mes mazhorancës dhe opozitës ZEROHET”, shkruan Bardhi.