Rajon
Tragjedi/ Shkon në 14 numri i viktimave, Serbia shpall 2 nëntorin ditë zie
Një çati prej betoni mbi hyrjen e një stacioni hekurudhor në qytetin verior serb të Novi Sadit u shemb të premten, duke lënë pas vetes 14 të vdekur. Autoritetet serbe përfunduan sot operacionin e kërkim-shpëtimit, ku deklaruans e numri zyrtar i të vdekurve është 14, mes viktimave edhe një vajzë 7-vjeçare. Serbia ka shpallur 2 nëntorin ditë zie pas tragjedisë së ndodhur, ndërsa kryetari i Novi Sadit, Milan Gjuriç shpalli tri ditë zie në qytet. Po ashtu, disa nga të plagosurit janë në gjëndje të rëndë.
“Kemi të bëjmë me lëndime shumë të rënda, kemi të bëjmë me të rinj. Pacientja e fundit tashmë është intubuar dhe ka ardhur në Qendrën Klinike të Vojvodinës”, tha drejtoresha e QKV-së, Vesna Turkulov.
Çatia prej betoni dhe çeliku u shemb në një moment kur njerëzit kanë qenë poshtë, disa në stola, disa pranë, pasi aty ka edhe një stacion autobusi. Sipas dëshmitarëve okularë, nuk kishte të dhëna se mund të ndodhte një tragjedi, struktura u shemb për pak sekonda dhe nuk kishte mundësi që njerëzit të shpëtoheshin.
Po ashtu raportohet se ndërtesa e Stacionit Hekurudhor është rikonstruktuar dy herë në dy vitet e fundit. Mirëpo, ministri i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, Goran Vesiç, tha se një pjesë e stacionit, konkretisht tenda e shembur nuk është rikonstruktuar, duke thënë se kjo shihet në lejen e ndërtimit.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në fjalimin e tij para qytetarëve tha se kërkon nga autoritetet hetuese që personat përgjegjës për atë që ndodhi të ndiqen penalisht dhe të dënohen rëndë. Në shenjë respekti qytetarët u mblodhën në qendër të Novi Sadit, duke lënë lule dhe duke ndezur qirinj. Flamujt e Serbisë janë ulur në gjysmështizë.