Kosova
HARRIS LETER KOSOVES/ Ja çfarë premtoi kandidatja për presidente në SHBA
Tri ditë para zgjedhjeve, Kandidatja për Presidente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga radhët e Partisë Demokratike, Kamala Harris, ka thënë se SHBA do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën, si një vend multietnik e demokratik, për ta integruar krejtësisht në komunitetin ndërkombëtar.
Ajo gjithashtu ka shprehur mirënjohjen e saj ndaj Shqipërisë për promovimin e stabilitetit në rajon dhe jo vetëm, si dhe për udhëheqjen e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së gjatë muajve pas pushtimit brutal të Ukrainës nga Rusia.
Harris ka potencuar se Shtetet e Bashkuara “kanë udhëhequr përpjekjet për të mbështetur pavarësinë dhe sovranitetin historik të Republikës së Kosovës”, por edhe ka bërë të qartë se SHBA-të “vazhdojnë të mbështesin një Kosovë multietnike dhe demokratike të integruar plotësisht në komunitetin ndërkombëtar”.
Persa i përket rolit të shqiptarëve të Amerikës, Zëvendës-presidentja amerikane theksoi se ata kanë dhënë “kontribute të paçmueshme për kombin për breza të tërë, duke sjellë një përkushtim të thellë ndaj familjes, komunitetit dhe kërkimit të lirisë”.
“Me qindra mijëra shqiptaro-amerikanë të vendosur në Shtetet e Bashkuara, po vazhdojne të na frymëzojë të gjithëve” – ka theksuar Harris
Shqiptarët e Amerikës, sipas saj, “kanë ndikuar në strukturën shoqërore të SHBA, duke pasuruar komunitetet me shpirtin sipërmarrës, vlera të forta familjare dhe përkushtim të thellë ndaj arsimit dhe angazhimit qytetar”.
Në letrën drejtuar komunitetit shqiptaro-amerikan, kandidatja për presidente përmend edhe lidhjet historike mes Shqipërisë dhe SHBA-së, dhe mbështetjen qe kjo e fundit i ka dhene Shqipërisë në momentet deçizive të saj persa i përket shtetësisë.
Zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbahen më 5 nëntor dhe kane zgjuar interes të jashtëzakonshëm edhe në Kosovë, duke qenë se Amerika është aleati kryesor dhe mbështetësi më i madh I saj, por edhe sepse perballe Kamala Harris do te jete ish presidenti Donald Trump, kontravers ne qendrimet e tij ndaj Serbisë.
Për Kosovën është tejet e rëndësishme se kush do të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë në këtë fazë dhe qasjes që do ta ketë, më së shumti për shkak të problemeve ende të pazgjidhura me Beogradin.