Kosova
Skenari rus për zgjedhjet e 9 shkurtit/ Zyrtari gjerman tregon si duhet t’i përgjigjet Kosova
Kryetari i Këshillit euro-atlantik të Serbisë, Dragan Sormaz, ka paralajmëruar se Rusia ka hartuar një plan për të destabilizuar dhe për të krijuar një atmosferë jodemokratike në Kosovë para zgjedhjeve parlamentare, që do të mbahen me 9 shkurt.
Përmes një reagimi në X, ai ka thënë se rusët synojnë të ndikojnë në procesin zgjedhor duke angazhuar individë nga komunitetet pakicë, romë, boshnjakë, goranë etj.
Këtë paralajmërim të tij, e ka komentuar anëtari i Presidencës së Paneuropës në Gjermani dhe përfaqësuesi i saj special për Evropën Juglindore, Christian Hoferer, I cili ka thene se Rusia po përpiqet të prish stabilitetin politik në prag të zgjedhjeve, përmes sulmeve kibernetike dhe hakimeve.
“Kjo është një sfidë me të cilën po përballen pothuajse të gjitha demokracitë evropiane. Rusia po përpiqet të prishë stabilitetin politik dhe të ndikojë në vendimet politike përmes fushatave dezinformuese si manipulimi i mediave sociale. Kjo është veçanërisht e vërtetë në prag të zgjedhjeve. Sulmet kibernetike dhe hakimet gjithashtu luajnë një rol, siç luan edhe minimi i partive kryesore dhe mbështetja financiare e grupeve populiste”- është shprehur zyrtari gjerman.
Ai ka treguar gjithashtu se si mund të ndërtohet mbrojtje kundër ndërhyrjes në zgjedhjet e reja.
“Fusha e betejës është veçanërisht në botën digjitale. Një qasje proaktive dhe e koordinuar, veçanërisht ajo që përfshin masat e sigurisë kibernetike, ndërgjegjësimin e publikut dhe bashkëpunimin me platformat e mediave sociale, mund të ndihmojë në ndërtimin e një mbrojtjeje elastike kundër ndërhyrjeve në zgjedhje”, ka theksuar Christian Hoferer
Në raportin e fundit të hartuar lidhur me Kosovën, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka thënë se “atmosfera në Kosovën veriore mbetet e tensionuar dhe potenciali për përshkallëzim vazhdon”