Connect with us

Aktualitet

SPAK zbardh bisedat e ‘Tor Lushnjarit’, lidhja me vëllezërit Merkaj dhe ‘porositë’ nga Dubai

Një tjetër goditje e bujshme pritet nga SPAK! Kësaj here raportohet se do të goditet një tjetër grup kriminal me bazë në Shqipëri.

SPAK ka në dorë mijëra faqe transkripte të përgjimeve të aplikacioneve të kriptuara, “SkyECC” dhe “Encrochat” ku përmendet Mentor Mezini. Ky i fundit është i njohur për publikun si “Tori Lushnjari”, i cili në Shqipëri rezulton i dënuar me mbi 8 vite burg nga gjykata e Lushnjes dhe Apeli i Vlorës për shfrytëzim prostitucioni. Por tashmë njihet si ndërtues. Madje fitoi edhe titullin si ‘investitor strategjik’ me projektin “Drymades Beach Resort” dhe kompaninë “Bluebay shpk”.

“Mes mijëra faqeve transkripte të kësaj dosje, prokuroria e posaçme ka rënë edhe në emrin e Mentor Mezinit. Ky i fundit del në hetimet që prokuroria e posaçme ka nisur ndaj tre vëllezërve beratas, Astrit, Endri dhe Klajdi Merkaj,“-shkruhet në artikull. Këta tre vëllezër dalin edhe në dosjen e Franc dhe Hajdar Çopjas, si persona që merreshin me pastrimin e parave.

Ndër të tjera në artikull theksohet se SPAK është duke e hetuar edhe për faktin se ka qenë pjesë e grupit të Eldi Dizdarit dhe Dritan Rexhepit, ndërsa aktualisht ka lidhje të forta me politikën. Madje, sipas të dhënave në dosje, Mezini ka foto dhe takime të përgjuarame politikanë dhe biznesmenë të njohur në vendin tonë. Por për cilët bëhet fjalë, kjo ende nuk është bërë me dije.

Një tjetër detaj që po hetohet si dosje më vete është fakti se Mezini mbrohet nga persona që janë pjesë e Forcave Speciale “RENEA”. SPAK po kërkon të zbulojë se si ka ndodhur që punonjës të strukturave të posaçme marrin në mbrojtje persona me precedentë penalë. Më shumë detaje mund të mësojmë kur SPAK të nisë goditjen e radhës.

Advertisement