Connect with us

Politike

“Sterilizimi” në GJKKO/ Beqaj ankohet: Hashim Thaçin e lënë me kompjuter para, unë…

Vazhdon seanca paraprake për dosjen e Sterilizimit. Gjyqi i sotëm ka nisur që prej orës 9.00 të mëngjesit dhe ende vijon. Në seancën e sotme kanë bërë mbrojtjen e vetes biznesmeni Ilir Rrapaj, por edhe ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj. Ndërkohë që vetë ish-ministri Ilir Beqaj ka pasur ankesa. Kjo për shkak se avokati i tij i kërkoi trupës gjykuese që klienti i tij të mbante një shishe uji në sallë. Sapo kërkesa u bë, ish-ministri bëri një krahasim mes tij dhe ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Hashim Thaci në sallë me kompjuter para, me tavoline dhe afër me avokatin. Ne këtu prapa xhamit, me shënime dore që flasim për tabela të studimit të fizibilitetit, pa tavolinë, pa kompjuter dhe pa patur mundësine të kemi afër avokatin,”-tha në fjalën e tij Beqaj.

Lidhur me dy koncensionet në Shëndetësi, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është vënë nën hetim nga SPAK prej më shumë se një viti. Beqaj është i dyshuar për shpërdorim detyre lidhur me 2 tendera të firmosura, për sterilizimin dhe check up. Këto 2 çështje janë duke u hetuar nga 3 prokurorë. Koncensionin e sterilizimit po e hetojnë prokurorët Edvin Kondilli dhe Ened Nakuçi, ndërsa atë të ‘check up’ po e heton prokurorja Elida Kaçkini.

Më 18 mars, SPAK njoftoi mbylljen e hetimeve, ndërsa iu komunikoi akuzat 8 personave të tjerë të përfshirë në dosjen e 2 koncensioneve. Por aktualisht, Beqaj është në burg që prej datës 4 korrik, pasi akuzohet për abuzim me fondet e BE-së gjatë kohës së mbante postin e drejtorit të Agjencisë Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC). Detyrë që e ka mbajtur pasi liroi postin si ministër i Shëndetësisë.

Advertisement