Kosova
Në tehun e thikës/ Analisti tregon si do veprojë SHBA në rast se Serbia sulmon Kosovën
Zëvendës këshilltari për Sigurinë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jon Fin (John Finer), ka deklaruar se situata e sigurisë në Kosovë është në tehun e thikës dhe se Kosova duhet të jetë sovrane por edhe të respektojë komunitetet pakicë të cilat ekzistojnë përbrenda saj”.
E sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçit, siguria në Kosovë është e cenuar persa kohë që shteti i Serbisë nuk e njeh Republikën e Kosovës.
“Mos-njohja e shtetësisë së Kosovës nga ana e Beogradit, përbën kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës e të rajonit. Në këtë pikëpamje autoritetet e Beogradit, përfshirë dhe këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Finer, kanë të drejtë të bëjnë vlerësime si këto. Por për mua vlerësimi ka dy kleçka: Së pari bëhet vetëm dhjetë ditë para së të bëhet rotacioni i pushtetit nga shefi i zotit John te presidenti i zgjedhur Donald Trump. Kjo do të thotë se këto dhjetë ditë janë shumë riskante, sepse mund të kemi të bëjmë me një skenar, me të cilin presidenti në ikje dëshiron të lejë trashëgimi një vatër të re konflikti për Donald Trump. Kjo është njëra anë e asaj që lexoj nga kjo deklaratë. Unë dyshoj në këtë deklarim, sepse ai do të ishte dashur të kishte ndodhur gjatë mandatit të qeverisjes së presidentit Biden”, theksoi Bytyçi duke ngritur pyetjen se “Pse tani? Pse vetëm pak ditë para se të nisë punën kabineti i ri I Trump?! Çfarë të reje ka që lëshohet ky alarm. Kush është shkaku dhe cilët janë aktorët që do ta cenojnë paqen dhe nisin konfliktin kundër Kosovës.
“Administrata e presidentit Joe Biden i pati të gjithë instrumentet e domosdoshëm që në mandatin e tij ta kishte zgjidhur këtë konflikt. Por nuk e bëri. U lidh me autokratët Vuçiq dhe Rama dhe i mjaftoi statuskuoja e miqësisë midis këtyre dy liderëve autokratë të Ballkanit Perëndimor. Gjithçka e lidhën me Serbinë, duke e ledhatuar atë, duke mos e sulmuar asnjëherë. Madje duke qortuar Kosovën, megjithëse ajo disa herë ishte nën goditjet e akteve terroriste serbe.
Tani na thonë se Kosova është e kërcënuar dhe mund të ndodhin sulme e konflikte të armatosura”, shpjegoi profesor Bytyçi duke potencuar se Biden nuk deshi te zgjidhe konfliktin Beograd-Prishtine….
“sepse besoi se do ta kishte në krah Serbinë për t’u bërë anëtare e NATO-s. Dhe zgjodhi të sulmojë institucionet e Kosovës, në vend se të kërkojë me insistim njohjen e saj nga Serbia. Kjo është e vërteta”.
Për këtë arsye, Bytyçi thotë se nuk është shumë serioze deklarata e zotit Finer dhe tregon se si mund të veprojë Trump, në rast se shpërthen një konflikt i ri mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ka shumë mundësi që Donald Trump ta transferojë te ndonjë aleat i tij zgjidhjen e konfliktit. Kjo më pas varet se cili aleat do të jetë ai” – theksoi profesori i njohur