Politike
Kërkesa e Begajt për Kushtetuesen/ Bardhi: Ushtar i bindur i Ramës, synohet kapja e Gjykatës
Gazment Bardhi ka reaguar pas kërkesës që Bajram Begaj i drejtoi Gjykatës Kushtetuese, ku i kërkonte që të sqarojë situatën se si do të bëhet ripërtëritje e kësaj Gjykate, duke pretenduar se këtë vit duhet të ishin 3 gjyqtarët që do të ndërroheshin, përfshirë edhe mandati i Sonila Bejtjës, si e emëruar e Presidentit.
Bardhi e konsideron si një akt të pashembullt, të ndërmarrë në emër dhe për llogari të Edi Ramës, pasi sipas tij, synohet kapja 100% e Gjykatës Kushtetuese.
Ai shton më tej se Kushtetuta iu ka dhënë gjyqtarëve në detyrë një mandat të plotë 9-vjeçar, që nuk mund të cënohet në asnjë rrethanë pas fillimit të detyrës.
Sipas Bardhit, me aktin e sotëm Bajram Begaj nuk ka surprizuar askënd për rolin e tij si ushtar i bindur i Edi Ramës.
Akti i pashembullt i Bajram Begajt, në emër dhe për llogari të Edi Ramës, për të kapur 100 % Gjykatën Kushtetuese, është jo vetëm i dënueshëm, por edhe i papranueshëm.
Kushtetuta qartësisht i ka dhënë gjyqtarëve në detyrë një mandat të plotë 9 vjeçarë, që nuk mund të cenohet në asnjë rrethanë pas fillimit të detyrës. Cënimi i mandateve nënkupton cenimin e vetë pavarësisë së Gjykatës dhe parimeve themelore të shtetit të së drejtës.
Me aktin e sotëm Bajram Begaj nuk ka surprizuar askënd për rolin e tij si ushtar i bindur i Edi Ramës, por guximi i tij për të shkuar deri tek hedhja në erë e Kushtetutës vetëm që Edi Rama ta rrëmbejë Gjykatën Kushtetuese 100 %, është përtej pritshmërisë së shërbimeve edhe nga ushtari me gradën më të ulët.
Duke dënuar me forcë aktin e sotëm të Bajram Begajt, apeloj që kjo lojë që rrezikon legjitimitetin e vetë Gjykatës Kushtetuese, të ndalet menjëherë.