Connect with us

Politike

Rama i ashpër ndaj drejtuesve të qarqeve, kërkon më shumë angazhim për votën e diasporës

Kryeministri Edi Rama zhvilloi ditën e sotme një mbledhje në selinë rozë me drejtuesit politikë të qarqeve. Në fokus të këtij takimi, ishte organizimi i Partisë Socialiste për zgjedhjet parlamentare të 11 majit dhe votat e emigrantëve shqiptarë, të cilët do të ushtrojnë për herë të parë të drejtën e zgjedhjes.

Nga ajo që bëhet me dije nga mbledhja e zhvilluar me dyer të mbyllura, Rama ka pasur kritika! Numri një i socialistëve ka kërkuar nga drejtuesit e qarqeve më shumë angazhim për votën e diasporës dhe kritikoi drejtuesit e qarqeve për numrin e ulët të emigrantëve të regjistruar në platformën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Aktualisht, deri më tani janë të regjistruar gjithsej 77 mijë shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të vendit.

Por Rama kërkon vëmendje dhe punë e veçantë në ato qarqe ku numri i të regjistruarve është më i ulëti. Nga të dhënat e KQZ-së, qarqet me më pak qytetarë të regjistruar janë Kukësi, Dibra, Gjirokastra dhe Lezha. Pikërsht nga këto qarqe, kryesocialisti ka kërkuar më shumë punë.

Pas mbledhjes, kryeministri u largua me kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Benet Becin dhe me deputetin Eduard Shalsi, drejtues qarku në Kukës. Edhe pse gazetarët e prisnin jashtë selisë, kryeministri zgjodhi që edhe kësaj herë të mos prononcohej.

Advertisement