Kronike
“Lufta” me 100 plumba në Malësi të Madhe, informacioni për një të plagosur ngre në këmbë Policinë
Një informacion i marrë në rrugë operative ka ‘trazuar’ Policinë e Shkodrës. Uniformat blu të qytetit kanë nisur edhe njëherë kontrollet në të gjitha ambientet e spitaleve që ka qyteti për të gjetur një të plagosur. Mendohet se natën e përplasjes në Malësi të Madhe, i lënduar ka mbetur një nga të “grabitësit”.
Për ngjarjen janë shpallur në kërkim Rivaldo Pllanaj dhe Erion Vocrri, por “informatori” në Policinë e Shkodrës thotë se një prej të dyve ka mbetur i plagosur në këmbë teksa qëllonin në ajër me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja të kalibrave të ndryshme, çka do të thotë se janë përdorur më shumë se dy armë të ndryshme.
Por si ndodhi ngjarja?
Mbrëmjen e 1 shkurtit në fshatin Gruemirë dy të rinjtë Pllanaj dhe Vocrri kishin shkuar për të vjedhur, por u pikasën nga disa banorë të fshatit, konkretisht nga Mirsad, Edison dhe Besim Kurtaj. Në këtë moment të dy palët kanë debatuar dhe grabitësit kanë vendosur që të tërhiqen, por teksa largoheshin nga fshati kanë qëlluar me automatik kallashnikov rreth 100 plumba. Rivaldo Zmijanej Planaj është nip i “Kumbarit”, Bardhok Planaj, i cili u ekzekutua me armë zjarri në vitin 2021 në Shkodër, ndërsa Vocrri nuk është emër i njohur për uniformat blu.