Bota
Fundi i luftës/ Bisedimet SHBA-Rusi, Putin: Nuk mjafton! Zelenskyy: S’ mund ta shes Ukrainën

Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar një takim në Arabinë Saudite në Riad. Departamenti amerikan i Shtetit tha se Uashingtoni dhe Moska janë pajtuar për t’i adresuar faktorët që ndikojnë në raportet mes dy shteteve dhe kanë nisur punën drejt dhënies fund të luftës në Ukrainë. DASH-i tha se palët do të angazhojnë ekipe të nivelit të lartë për t’i dhënë fund luftës sa më shpejt që është e mundur. Por në këtë takim nuk kishte të pranishëm përfaqësues të Ukrainës dhe presidenti Volodymyr Zelenskyy, tha se është biseduar për Ukrainën, “pa Ukrainën”.
Presidenti rus Vladimir Putin, pas bisedimeve tha se ishte gati t’u kthehej negociatave për Ukrainën, që është një prioritet për Rusinë. Putin tha se ishte i informuar për rezultatet e negociatave ruso-amerikane në Riad dhe se i vlerësonte shumë ato.
“Siç më thanë pjesëmarrësit tanë, nga pala amerikane kishte njerëz krejtësisht të ndryshëm që ishin të hapur ndaj procesit të negociatave pa asnjë paragjykim, pa asnjë dënim të asaj që u bë në të kaluarën. Në çdo rast, nuk kishte asgjë nga kjo në kontaktet dypalëshe, por ata ishin ngritur për punë të përbashkët, të hapur për punë të përbashkët. Qëllimi i tyre ishte rritja e besimit midis dy vendeve dhe se të dy palët vepruan pa “paragjykim apo gjykim”,-u shpreh presidenti rus.
Sa i përket takimit me presidentin Donald Trump, Putin u shpreh i gatshëm dhe i lumtur për një bisedë me të, ku zbuloi se ishte informuar që Ukraina do të merrte pjesë në bisedimet e ardhshme të paqes. Por për Putin këto bisedime nuk do të mjaftonin, pasi duhet të punojnë për një sërë çështjesh përpara se të zhvillohen.
Nga ana tjetër edhe pse nuk ishte i pranishëm në bisedime, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy komentet e tij i bëri në një deklaratë për shtyp. Deklarata e tij erdhi pasi udhëheqësi amerikan Donald Trump tha se Ukraina mund ta kishte ndaluar luftën më herët. Trump gjithashtu vuri në pikëpyetje legjitimitetin e Zelenskyy-it, duke pasur parasysh se zgjedhjet në Ukrainë nuk u mbajtën për shkak të gjendjes së luftës.
“Fatkeqësisht, Presidenti Trump, me gjithë respektin e duhur për të si udhëheqës i një vendi që ne e respektojmë shumë, jeton në këtë hapësirë dezinformimi. E gjithë kjo është shqetësuese. Gjithçka që ata bëjnë është të sigurojnë që Ukraina është e dobët. SHBA po e ndihmon Rusinë të dalë si viktimë. Sa i përket bisedimeve ata e përshkruan pushtimin rus të Ukrainës si një “konflikt” dhe jo “luftë e Putinit kundër Ukrainës“,-u shpreh Zelenskyy.
Presidenti ukrainas, kundërshtoi gjithashtu pretendimet e Trump se SHBA i ka dhënë Ukrainës 500 miliardë dollarë, kundrejt një marrëveshjeje për kërkimin e mineraleve.
“Shikoni, ne të gjithë duam një fitore, dhe ne duam që Trump të fitojë, dhe ne duam që Ukraina të fitojë, të gjithë ne të kemi sukses. Por këtu nuk ka asgjë të qartë. Le të ulim përqindjet. Pra ky ishte sugjerimi im. Por unë mbroj Ukrainën. Nuk mund ta shes. Unë nuk mund ta shes shtetin tonë,” tha Zelenskyy.
Donald Trump ka kërkuar nga Ukraina koncesionet mbi gjithçka, nga portet dhe infrastruktura te nafta dhe gazi, si dhe bazën më të madhe të burimeve të vendit. Kushtet e kontratës që arritën në zyrën e Zelenskyy disa ditë më parë janë të barasvlefshme me “kolonizimin ekonomik” të Ukrainës nga SHBA, në përjetësi ligjore./

