Aktualitet
‘Ndyrësirë, s’ke turp që tregon banesën e prokurorit’, Veliaj publikon debatet me Dadon në seancë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar sërish nga qelia, ndërsa kësaj radhe ka zbardhur me një foto debatet në seancën për masën e sigurisë më 12 shkurt në GJKKO. Veliaj u shkruan lexuesve që të lexojnë se me çfarë gjuhe fliste prokurori Ols Dado.
“Ky është një nga dialogët në thertoren e Erion Kasapit! Lexojeni se me çfarë gjuhe flet prokurori i SPAK-ut, aq të ulët sa edhe Erion Kasapi duket xhentëlmen para tij! Kjo gjuhë dhe atmosferë, sikur Sigurimsat janë kthyer nga penxherja, pasi i nxorëm nga dera, nuk duhet toleruar më”, shkruan Veliaj.
Në procesverbalin e zbardhur nga vetë Veliaj në një postim në Facebook, dallohet se prokurori Dado i është drejtuar kryebashkiakut me fjalët si “ndyrësirë”, “s’ke turp tregon banesën e prokurorit”. Kjo. Pasi Veliaj e denoncoi Dadon në sallën e gjyqit si prokuror në konflikt interesi, pasi ka marrë leje ndërtimi nga kryebashkiaku për një objekt banimi 9-katësh me 2 kate nëntokë në njësinë administrative nr.10, në rrugën e Bogdanëve, mu në zemër të kryeqytetit.
Prokurori i çështjes Dado e ka cilësuar si kërcënim, ndërsa Veliaj sipas procesverbalit që ka publikuar vetë, thotë se nuk është një kërcënim, por konflikt interesi dhe ka theksuar se kjo sjellje e prokurorit nuk është normale.
Pjesë nga debati brenda seancës
OLS DADO: Ndyrësirë! S’ke turp që thua, tregon banesën e prokurorit këtu, ç’a është 3 ky, kërcënim është ky? Është kërcënim ky që tregon banesën e prokurorit?
ERION VELIAJ: Asnjë kërcënim.
BRION BANI: Prokuror, ulu!
OLS DADO: A? Ç’a është ky? Kërcënim është ky?
ERION VELIAJ: Unë besoj është konflikt interesi. Prokurori mendon që edhe kjo sjellje është normale, por kjo s’është normale.
OLS DADO: E kam mesazhin këtu.
ERION VELIAJ: Por, kam të drejtë të them që s’është normale.
ERION BANI: Prokuror!
Veliaj shkruan se kjo sjellje nuk duhet toleruar më, ndërsa thotë se Dado përdori aq gjuhë të ulët sa edhe ‘Erion Kasapi’, referuar gjyqtarit Erion Bani, duket xhentëlmen para prokurorit.

