Connect with us

Bota

Orban i vetmi evropian që i del në mbështetje Trumpit: Njerëzit e fortë krijojnë paqe, të dobëtit luftëra

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, është i pari lider brenda komunitetit evropian, i cili ka dalë në mbështetje të hapur të presidentit amerikan Donald Trump, pas takimit shumë të tensionuar që ai pati në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Përmes një publikimi në median sociale X, Orban e ka falënderuar Trumpin për qëndrimin e tij.

“Njerëzit e fortë bëjnë paqen, njerëzit e dobët bëjnë luftën. Sot Presidenti Donald Trump qëndroi me guxim për paqen. Edhe sikur të ishte e vështirë për shumë të kapërdihej. Faleminderit zoti President!”, shkruan Orban në reagimin e tij.

Nga ana tjetër, gjithë liderët e lartë evropianë, kanë mbështetur Zelenskyn në qëndrimin e tij.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka lëshuar një mesazh të qartë në mbështetje të Ukrainës, menjëherë pas një takimi të dështuar mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili përfundoi në retorika shumë të ashpra dhe në prishjen e firmosjes së një marrëveshjeje historike për mineralet e rralla.

Përmes një publikimi, von der Leyen vlerëson lartë figurën e Zelenskyt:

“Dinjiteti juaj nderon trimërinë e popullit ukrainas. Jini i fortë, trim, jini i patrembur. Nuk jeni kurrë vetëm, i nderuar President”, shkruan von der Leyen.

Edhe kancelari i ardhshëm gjerman, Friedrich Merz, ka treguar shumë qartazi mbështetjen ndaj Ukrainës.

Në komentin e shkurtër, ai ka shkruar:

“I dashur Volodymyr, ne qëndrojmë me Ukrainën në kohë të mira dhe në sprova.

Nuk duhet të ngatërrojmë kurrë agresorin dhe viktimën në këtë luftë të tmerrshme”.

Një reagim të shpejtë e ka pasur edhe kancelari në largim, Olaf Scholz, i cili po ashtu ka treguar mbështetjen ndaj Ukrainës.

“Askush nuk dëshiron paqe më shumë se qytetarët e Ukrainës! Kjo është arsyeja pse ne po punojmë së bashku për të gjetur një mënyrë për një paqe të qëndrueshme dhe të drejtë. Ukraina mund të mbështetet te Gjermania – dhe te Evropa”, shkruan Scholz.

Më herët, ka reaguar edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili po ashtu tregoi mbështetjen e tij për Zelenskyn dhe sakrificën e ukrainasve.

Macron, menjëherë pasi takimi u përmbyll, shkroi: Rusia është agresori. Ukraina është populli që është sulmuar. Ne duhet t’i respektojmë ata të cilët kanë luftuar që nga fillimi.

Shtëpia e Bardhë ndërkohë nuk pranoi raportimet se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është larguar nga aty, pas një debati tejet të ashpër me presidentin amerikan, Donald Trump, i cili rezultoi edhe në dështimin e firmosjes së një marrëveshje për mineralet e rralla.

Sipas një zëdhënësi të Shtëpisë së Bardhë, i cili ka folur për Fox News, ishte Trump ai i cili përzuri Zelenskyn dhe jo ky i fundit, i cili u largua pas takimit.

Nuk kuptohet ende pse është një detaj kaq i rëndësishëm ky për Shtëpinë e Bardhë, që ka bërë të ketë reagim kaq të menjëhershëm.

Çfarë ndodhi?

Ajo që nuk pritej ka ndodhur në Washington. SHBA-të dhe Ukrainë kanë prishur nga sa duket një marrëveshje të mineraleve të rralla, që pritej të firmosej nga dy presidentët respektivë, Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky.

Një debat tejet i acaruar gjatë takimit kokë më kokë me mediat e pranishme duket se është bërë shkaku.

Një konferencë e parashikuar për shtyp mes Trump dhe Zelensky, e cila pritej të mbahej pas takimit, është anuluar. Aty do të firmosej edhe marrëveshje, por duket se ajo nuk është më në tavolinë.

Zelensky, menjëherë pas debatit, është larguar nga Shtëpia e Bardhë.

Trump nga ana tjetër, pas reagimit të ashpër në takim, ka reaguar me një ton tejet të acaruar edhe përmes mediave sociale.

Trump shkroi menjëherë pas në median e tij sociale Truth: “Kam vendosur që presidenti Zelensky nuk është gati për paqe nëse përfshihet Amerika, sepse ai mendon se përfshirja jonë i jep atij një avantazh të madh në negociata. Nuk dua avantazhe, dua PAQE. Ai nuk i respektoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Zyrën e tyre të dashur Ovale. Ai mund të kthehet kur të jetë gati për paqe”.

Advertisement