Connect with us

Aktualitet

Zhduket sërish statuja e Tina Turner në shëtitoren Taulantia të Durrësit

Statuja e legjendës së muzikës rock dhe soul, Tina Turner, është shkulur e zhdukur nga kompleksi i artit urban dedikuar figurave të famshme të muzikës që ndodhet në shëtitoren Taulantia të Durrësit.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur gjatë natës, ndërsa qytetarët durrsakë e konstatuan mëngjesin e sotëm, të befasuar nga mungesa e saj pranë tre ikonave të tjera të muzikës: John Lennon, Bob Dylan dhe Jim Morrison.

Kjo nuk është hera e parë që statuja e Tina Turner zhduket nga shëtitorja. Në vjeshtën e vitit 2022, ajo u dëmtua kur një fëmijë u var te krahët e saj, duke shkaktuar thyerjen e statujës së cilës i mbeti vetëm pjesa e këmbëve.

Pas disa muajsh, statuja u riparua dhe iu rikthye kompleksit, i cili është kthyer në një atraksion të njohur për vendasit dhe turistët në bregdetin e Durrësit. Mbetet e paqartë se kush mund të jetë përgjegjës për vjedhjen. Pritet që policia të nisë hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

Advertisement