Bota
Bisedimet SHBA-Ukrainë do të rifillojnë më 11 mars, sipas Fox News

Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, Përfaqësuesi Special i SHBA-ve për Çështjet e Lindjes së Mesme Steve Witkoff dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Mike Waltz do të udhëtojnë më 11 mars drejt Arabisë Saudite për bisedime me Ukrainën.
Lajmi u bë i ditur nga korrespondentja e Shtëpisë së Bardhë për Fox News, Jacqui Heinrich.
Ajo postoi në median sociale X: “Rubio, Witkoff, Waltz drejt Riyadh-it të martën për t’u takuar me ukrainasit, përfshirë Yermak-un”.
Zyrtarët nga Ukraina dhe SHBA-të do të takohen së shpejti për të rifilluar diskutimet rreth paqes dhe sigurisë, tha më herët ndihmësi i lartë i presidentit ukrainas Andriy Yermak në Telegram pas telefonatës me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve, Mike Waltz.
“Ne diskutuam hapat e ardhshëm drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha Yermak në një deklaratë. “Ne gjithashtu shkëmbyem mendime për çështjet e sigurisë dhe përafrimin e pozicioneve në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe midis Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara”.
Biseda midis Yermak dhe Waltz u zhvillua pasi SHBA-të ndaluan ndarjen e inteligjencës ushtarake me Kyiv-in.
Të dy palët diskutuan vendndodhjen, datën dhe ekipet negociuese për raundin tjetër të bisedimeve midis Kyiv-it dhe Washington-it, u tha më parë Waltz gazetarëve të mërkurën.
“Ne kemi planifikuar një takim për ekipet tona në të ardhmen e afërt për të vazhduar këtë punë të rëndësishme”, ravijëzoi zyrtari ukrainas në reagimin e tij.

