Bota
Po goditet TESLA/ Trump i del në mbrojtje Elon Musk: Radikalët e majtë do ta pësojnë keq

Presidenti amerikan Trump ka shprehur mbështetjen për kreun e DOGE (Departamenti i Eficiencës Qeveritare) duke akuzuar demokratët dhe të majtët radikalë se po e sulmojnë padrejtësisht.
Ai shkruan se të çmendurit e majtë radikalë po përpiqen të dëmtojnë Musk duke dëmtuar në mënyrë të fshehtë kompaninë Tesla.
Trump thekson se do blejë një makinë Tesla si shprehje të mbështetjes dhe besimit për Musk, për të cilin tha se po përdor gjenialitetin e tij për ta bërë Amerikën sërish të madhe.
“Republikanë, konservatorë dhe amerikanë të mëdhenj, Elon Musk po i “vë punët në vijë” për të ndihmuar Kombin tonë dhe ai po bën një PUNË FANTASTIKE!
Por të çmendurit e majtë radikalë, siç bëjnë shpesh, po përpiqen të bojkotojnë në mënyrë të paligjshme dhe të fshehtë Teslën, një nga prodhuesit më të mëdhenj të makinave në botë, dhe “bebin” e Elonit, në mënyrë që ta sulmojnë dhe t’i bëjnë dëm Elon-it, dhe gjithçka që ai përfaqëson.
Ata u përpoqën ta bënin me mua në zgjedhjet presidenciale 2024, por e patë si përfunduan? Unë do blej një Tesla fringo të re nesër në mëngjes si një shfaqje besimi dhe mbështetjeje për Elon Musk, një amerikan me të vërtetë të shkëlqyer.
Pse duhet të dënohet ai për vënien në punë të aftësive të tij të jashtëzakonshme në mënyrë që të ndihmojë TA BËJMË AMERIKA TË MADHE Sërish???” – shkroi Trump në rrjetin e tij social Truth Social.

