Kosova
HESHTJA QE FLET/ Pushteti që vjen nga qielli/ Fatmir stabilizatori: Të shpëtoj veten, kjo më duhet

Analisti Baton Haxhiu duke folur per situaten post zgjedhore ne Kosove tha se LDK e Lumir Abdixhikit dëshiron që Kosova të kalbet në ngërçin e mos krijimit te nje qeverie te re, sepse llogaritë e saj janë cinike. Sa më shumë të thellohet kriza, aq më shumë mundësi ka të vijë në pushtet. Ky është një lloj oportunizmi i pamëshirshëm.
“LDK e di që vetëm me PDK dhe AAK mund të bëjë shumicën, por sërish Lumir Abdixhiki nuk lëviz nuk leviz nga istikami. Ai po pret që t’i bjerë pushteti nga qielli, sikur një dhuratë hyjnore. Ajo që Lumir Abdixhiku duhet të dijë është se, duke mos bërë asgjë, pavetëdijshëm po ndihmon Serbinë. Ai po i jep Beogradit kohë që të përforcojë pozitën e tij në negociata. Duke mos lëvizur, ai po i dorëzon gjithë vendimmarrjen Donald Trumpit dhe Aleksandër Vuçiqit dhe është gati e sigurt që LDK nuk do të vijë në pushtet duke pritur. Ose do t’i duhet të bëjë një hap konkret, ose do të vazhdojë të mbetet një parti e dytë, e tretë ose më keq, e parëndësishme”- ka deklaruar Haxhiu, duke shtuar gjithashtu se nga ana tjeter, kreu i Nisma Fatmir Limaj flet për zgjidhje kombëtare, por në të vërtetë ai mendon dhe ka vetëm një qëllim fare pragmatik: të shpëtojë veten.
“Ai nuk ka forcë reale, por po luan me kartën e një “stabilizatori” duke thënë se është gati të hyjë në qeveri vetëm që të shmangë zgjedhjet. Ky nuk është pragmatizëm, por frikë. Dhe frika nuk sjell asnjë zgjidhje. Ajo që Limaj duhet të dijë është se të hysh në qeveri për interesa personale është më e dëmshme se sa të mos bësh asgjë fare. Dhe një gjë është e sigurt, nëse Kosova hyn në një krizë të madhe, edhe ai do të digjet politikisht. Fatmiri, në vend se të bëjë manovra boshe, le të bëjë një veprim konkret. Ose të ndihmojë në krijimin e një shumice të re, ose të pranojë realitetin dhe të heshtë”- ka potencuar analisti i njohur…….

