Shkrime
Komplot apo zhgënjim/ Çfarë tregojnë përgjimet e Veliajt në burg?

Publikimi i bisedave të përgjuara të Erion Veliajt nga qelia ku ndodhet prej më shumë se një muaji, ka lënë një shije të hidhur në raport me pritshmërinë që u propogandua se do të gjendeshin aty. Natyrisht, në bisedat e tij me familjarët, kryesisht të vëllain dhe bashkëshorten publiku mëson disa gjëra. Ne vërtetojmë edhe njëherë kontrollin që kryebashkiaku në detyrë me buxhetin më faraonik në vend, ka kontroll mbi axhendën e një sërë mediash të mëdha. Ne bindemi për lidhjen mes sulmeve që u bënë mbi gjyqtarët dhe prokurorët dhe porositjen e tyre nga birucat e errëta të Durrësit. Ne shohim gjithashtu, sidomos në sulmet ndaj ministrit të drejtësisë Ulsi Manja, se Veliaj po fillon të dyshojë se goditja i ka ardhur pas krahëve, pra nga partia e tij. Boll edhe për kaq, për secilën media që do i kishte në duar, ato do përbënin një material të artë. Jo vetëm se kënaqin në maksimun instiktet vuajerise të publikut, por edhe se na vërtetojnë apo mësojnë më shumë për atë që dinim për kryebashkiakun ende në detyrë të Tiranës. Parë në këtë këndvështrim ato duhen botuar deri në fund.
Por ama, nga ana tjetër, duket se publikimi i tyre fillimisht në CNA, e pastaj në mediat kritike me Veliajn, nuk i mbështet notat propoagandistike që shoqëroi ekzistencën e tyre në ditët përpara procesit ku do të diskutohej revokimi i masës së arrestit në Gjykatën e Apelit. Ato ditë, pothuajse të gjitha portalet dhe TV-të që furnizohen nga gazetarët, rripa transisioni të SPAK-ut, folën për fakte të reja që përligjinin mbajtjen e “Lalit” në burg. Ndonëse prej ktëtyre fakteve nuk rrodhi asgjë në publik u krijua ideja se Veliajn e kishin mbërthyer keq dhe se ai do të vijonte të kalbej në qeli. Madje, madje, aq shumë u fry kjo fabul, sa edhe anomalia e zgjatjes se një procesi rrutinë për shqyrtimin e masës së arrestit, u servir me “bombën” e këtyre fakteve të reja.
Nga sa është parë deri më tani të tilla duket se nuk ka. Vërtet Veliaj ofendon kolegun e tij Ulsi Manja “Katundar” dhe “Qelbësirë”, vërtet ai përcakton vijën editoriale të disa prej mediave më të mëdha, vërtet ai mëton ti përdorë ato për intimidimin e drejtësisë. Por kaq. Madje në dy tre raste gjatë përgjimeve del qartë se bashkëbiseduesit janë të ndërgjegjshëm se ndodheshin në përgjim. Ata ia shprehin këtë njëri-tjetrit. Pra si të tillë ata nuk kanë pasur si qëllim të rëndojnë pozitën e tyre…
A mund të konsiderohet fakt i ri rëndues biseda ku porosit gruan për qëndrimin që duhet të mbajë nëna e saj në SPAK? A mund të quhet indimidim i drejtësisë, porositja e ndonjë arikulli apo nxija e një proteste nga dhoma e avokatisë? A mund të merret si i tillë lobimi me deputetët miq për të zbutur deklaratat e KLP në mbrojtje të prokurorëve? A është rrethanë përkeqësuese tentativa për të mos i ndryshuar burg?
Këto elementë të dala nga përgjimet edhe mund të ndikojnë në atmosferën që shërben për të mbajtur dikë më gjatë në burg, por ato nuk kanë peshën e fakteve të rënda ashtu siç u servirën në 11, 12, 13 mars. Nëse në atë që u servir si një dosje bombë nuk ka asgjë më tepër sesa kaq, kjo tregon se edhe SPAK ka arritur të ngrejë në këmbë një makineri ndikimi dhe manipulimi të opinionit po aq të fuqishme sa atë që disponon Veliaj. Pasi ai i’a arriti që para procesit në apel të krijonte përshtypjen se kishte siguruar prova dhe fakte të reja për ta lënë në burg kryebashkiakun në detyrë. Ky konkluzion del së paku nga ato përgjigme që janë bërë publike deri më tani. Ato i’a vlejtën të botoheshin për të parë portretin e një burgaxhiu që po e kupton se kush ia ka futur thikën pas shpine. Dhe për këtë ndihet i zhgënjyer dhe viktimë e një komploti. Por, nga ana tjetër të tillë mund të ndihen edhe lexuesit që besojnë tek SPAK dhe që kujtuan se me përgjimet e fundit ai kishte arritur ta kryqëzonte Veliajn.
©Lapsi.al

