Kryestrategu amerikan i Partisë Demokratike, Chris LaCivita, ka theksuar rëndësinë e një fushate moderne dhe të përqendruar te komunikimi i drejtpërdrejtë me votuesit, gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë e FRPD.
LaCivita theksoi se mesazhi i Berishës për të rinjtë – që ata të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri dhe jo të largohen – është thelbësor.
Sipas tij, përballë një regjimi socialist dhe një udhëheqësi që ka sjellë paqëndrueshmëri në qeverisje dhe ekonomi, është koha që qytetarët të reagojnë: “Duhet të keni kurajon të ngriheni dhe të luftoni për vlerat individuale. Nuk është vetëm e drejtë të votosh – është përgjegjësi”.
Në fund, ai apeloi për angazhim masiv të të rinjve: “Merrni me vete pesë veta të tjerë në zgjedhje. Ju mund të keni ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatin e çdo zgjedhjeje, për sa kohë që ngriheni dhe bëheni pjesë e vendimit. Shqipëria ka qenë gjithmonë në pararojë dhe tani është momenti të mbrojmë këtë rol”.
“Nga pikëpamja strategjike, nuk do të zbulojmë shumë sekrete, por mendoj se, nga ana e fushatës, duhet të jemi shumë më aktivë në rrjetet sociale, dhe shumë më të pranishëm në mënyra jo tradicionale të komunikimit me votuesit.
Mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme të flasësh me grupin e duhur të votuesve, sidomos kur bëhet fjalë për mesazhin. Sigurisht, mesazhi për të cilin flet Dr. Berisha, për mundësinë që të rinjtë të qëndrojnë në Shqipëri, të ndërtojnë një të ardhme këtu, pa pasur nevojë të largohen në Europë apo në Shtetet e Bashkuara, është thelbësor. Por, kur flasim për partitë e majta, socialistët gjithmonë qëndrojnë bashkë, sepse ata kanë një vizion të njëjtë për botën dhe për qeverisjen, një vizion që nuk e vendos individin në qendër.
Dhe, e dini, këto janë pikërisht ato gjëra ndaj të cilave individët duhet të kenë kurajon të ngrihen dhe të luftojnë. Sa i përket Shteteve të Bashkuara, natyrisht, unë nuk flas në emër të qeverisë amerikane. Jam këtu si një qytetar privat dhe merrem me fushata politike në vende të ndryshme të botës. Por ajo që e bën të veçantë për mua këtë rast, është fakti që këtu kemi konservatorë të vërtetë që po përballen me një regjim socialist dhe me një udhëheqës shumë të paqëndrueshëm, i cili ka sjellë paqëndrueshmëri si në qeveri, ashtu edhe në ekonomi. Dhe, natyrisht, është e domosdoshme të sigurojmë stabilitet në rajon. Kjo është arsyeja pse zhvillimet në Shqipëri ndiqen me vëmendje edhe nga Shtetet e Bashkuara, siç ndodh me çdo vend tjetër”, tha ai.