Aktualitet
Kaos parazgjedhor/ Humbet vula e ZAZ-së në Dropull – Prokuroria nis hetim penal!

Prokuroria e Gjirokastrës, përmes një komunikate për mediat, ka bërë me dije se ka regjistruar dy procedime penale në lidhje me veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve.
Rasti i parë i krimit zgjedhor ka të bëjë me kallëzimin e një prej anëtarëve të Zonës së Administrimit Zgjedhor në Dropull se mungonte vula e kësaj ZAZ-je.
“Mbi bazën e materialeve të referuara nga Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër, u regjistrua më datë 23.04.2025, procedimi penal nr.248, për veprën penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”, të parashikuar nga neni 326/a i Kodit Penal, mbi bazën e kallëzimit të një prej anëtarëve të ZAZ Dropull, se mungonte vula e kësaj ZAZ-je.
Në kuadër të këtij procedimi janë kryer veprimet e para procedurale dhe është ngritur grupi hetimor, i cili po kryen me prioritet të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje.” – thuhet në njoftimin e organit të akuzës.
Ndërkohë, rasti i dytë ka të bëjë me kallëzimin e një qytetari se është kërcënuar nëpërmjet rrjeteve sociale, për shkak të opinioneve që ka shprehur lidhur me një subjekt zgjedhor.
“Në të njëjtën ditë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, mbi bazën e kallëzimit të shtetasit E.S., ka regjistruar procedimin penal nr.249, për veprën penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, të parashikuar nga neni 329/1 i Kodit Penal.
Nga të dhënat, rezulton se më datë 22.04.2025, shtetasi E.S. ka kallëzuar faktin se shtetasi A.M e ka kërcënuar nëpërmjet rrjeteve sociale. Kanosja ka ardhur si reagim i opinioneve që shtetasi E.S ka shprehur lidhur me një subjekt zgjedhor.
Sipas kallëzimit, pretendohet se shtetasi A.M ka përdorur jo vetëm gjuhë kërcënuese por edhe imazhe intimiduese. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.” – thuhet në njoftim.

