Sport
LIGA E KOMBEVE/ BELGJIKA I TREGON FORCEN ITALISE, FRANCA NUK LE VEND PER SURPRIZA
Janë mbyllur ndeshjet e fundit të Grupit 1 në Ligën A të Ligës së Kombeve, ku nuk kanë munguar surprizat. Belgjika ka dhuruar një paraqitje spektakolare, duke shkatërruar Italinë me rezultatin 4-1, ndërsa Franca ka triumfuar 2-1 ndaj Turqisë në Bordo.
Në sfidën e zhvilluar në Francë, vendasit e mbyllën pjesën e parë pa gola, por arritën të zhbllokonin rezultatin në minutën e 52-të, falë një autogoli të Emir Topcu. Në minutën e 80-të, Eli Junior Kroupi dyfishoi shifrat, duke shënuar golin e tij të parë me përfaqësuesen e madhe franceze. Turqit arritën të shënonin vetëm në fund të kohës së rregullt, me anë të Abdulkerim Bardakci, por pa ndryshuar fatin e takimit. Franca triumfoi 2-1.
Spektakli i vërtetë ishte në përballjen mes Belgjikës dhe Italisë. “Axurrët” e nisën mirë takimin, duke kaluar në avantazh që në minutën e 11-të me Francesco Pio Esposito, pas asistit të Michael Kayode.
Megjithatë, festa italiane zgjati vetëm katër minuta. Maxim De Cuyper riktheu baraspeshën në minutën e 15-të, ndërsa Nathan Ngoy përmbysi gjithçka në minutën e 21-të, pas një aksioni të krijuar nga goditja e këndit.
Belgjika nuk u ndal me kaq. Në minutën e 26-të, Jeremy Doku realizoi golin e tretë, duke i dhënë skuadrës së tij një avantazh të konsiderueshëm që në pjesën e parë, e cila u mbyll me rezultatin 3-1.
Në fraksionin e dytë, Kevin De Bruyne shërbeu asistin për Diego Moreira, i cili në minutën e 81-të vulosi pokerin belg. Italia pati mundësinë të shënonte një gol tjetër nga pika e bardhë, por Francesco Pio Esposito gaboi nga 11-metrat. Belgjika festoi një fitore të madhe me shifrat 4-1.
– Belgjika – 12 pikë
– Italia – 10 pikë
– Turqia – 0 pikë
Franca dhe Belgjika sigurojnë dy vendet e para dhe kualifikimin për në çerekfinalet e Ligës së Kombeve. Ndërkohë, Italia dhe Turqia do të duhet të presin përfundimin e renditjes së përgjithshme në Ligën A për të mësuar fatin e tyre: qëndrimin në këtë nivel apo pjesëmarrjen në ndeshjet “play-off”.