✦
Thinking ...
Connect with us

Bota

I hodhën hi mbi kokë komisionerit të BE-së: Ky është hiri i njerëzve që do të vrisni

Një incident i pazakontë ka ndodhur në Bruksel, ku dy aktivistë kanë hedhur një substancë gri, që ngjante me hirin, mbi komisionerin europian për Shëndetësinë, Olivér Várhelyi. Ngjarja ndodhi gjatë një samiti për luftën kundër kancerit, teksa zyrtari po përgatitej të mbante fjalimin e tij.

Dy protestuesit u ngjitën në skenë dhe hodhën pluhurin mbi komisionerin, duke ndërprerë për disa momente aktivitetin. Sipas mediave të huaja, ata janë pjesë e organizatës franceze “Cancer Colère”, e cila përfaqëson persona të prekur nga kanceri dhe të mbijetuar të kësaj sëmundjeje.

“Jam paciente me kancer dhe po protestoj kundër ligjit Omnibus”, deklaroi njëra prej aktivisteve. Ndërsa protestuesja tjetër iu drejtua komisionerit me një mesazh të ashpër: “Ky është hiri i njerëzve që ju do të vrisni me pesticide”.

Protesta lidhet me propozimet e Komisionit Europian për ndryshimin e rregullave mbi autorizimin dhe përdorimin e pesticideve në Bashkimin Europian. Komisioni argumenton se nisma synon të thjeshtojë procedurat për fermerët, ndërsa organizatat mjedisore dhe shëndetësore paralajmërojnë për rreziqet e mundshme që ndryshimet mund të sjellin për shëndetin publik.

Pas incidentit, Várhelyi largoi pluhurin nga rrobat dhe vijoi fjalimin. Ai reagoi i indinjuar ndaj protestuesve, duke pyetur se çfarë lloj njerëzish ishin dhe duke kundërshtuar përdorimin e hirit në emër të viktimave të kancerit.

Në sallë reagoi edhe Elisabetta Zanon, drejtuese e Organizatës Europiane të Kancerit, e cila kërkoi ndjesë për atë që ndodhi, duke e cilësuar incidentin përtej asaj që mund të imagjinohej.

Debati për propozimin është zgjeruar edhe në komunitetin shkencor. Sipas raportimeve, mbi 2 mijë shkencëtarë kanë nënshkruar një letër ku kërkojnë pezullimin e nismës deri në kryerjen e një vlerësimi të pavarur të ndikimit të saj.

Ndërkohë, më shumë se 300 organizata joqeveritare nga 25 vende europiane kanë paralajmëruar protesta më 24 nëntor, përpara Parlamentit Europian në Strasburg.

 

Advertisement