Aktualitet
Skena tronditëse e ‘The Last of US’, që risjell në kujtesë faktin se armiku më i madh i njeriut është njeriu

Ky shkrim mund të përmbajë detaje nga episodi i dytë i sezonit të dytë të The Last of Us
Veprimet mbartin kosto edhe në epokat më të errëta dhe fati ndonjëherë është i pashmangshëm.
The Last of US e ka dëshmuar këtë në kursin e sezonit të parë, kur seriali i adaptuar nga videoloja e famshme u kthye në një sensacion të vërtetë për publikun, duke rrokur vëmendjen e të madhi e të vogli.
Por në episodin e dytë të episodit të dytë, klimaksi i arritur tejkalon çdo pritshmëri dhe një skenë e vetme, mjafton për ta vendosur në piedestalin e serialeve më të mirë të viteve 2020 deri tani.
Jo për nga fakti se adaptimi i një zombi apokalipsi është aq i mirërealizuar, por për faktin se triumfi i njerëzores shpaloset paralelisht, duke lënë përfundimisht shijen e hidhur të natyrës së tmerrshme njerëzore.
Hakmarrëse edhe në ditët më të kobshme të vetat, hakërryese edhe ndaj shpëtimtarit, e përbindshme edhe ndaj vetes.
Për ta shpjeguar më qartë, një kataklizëm e vërtetë i kanoset të vetmit qytet të njohur në botën e The Last of US, me një tufë masive zombish të fshehur në borë, të cilët presin të dalin në sipërfaqe.
Paralelisht dhe paradoksalisht, disa gjenden jashtë qytetit të fortifikuar. Mes tyre edhe Joel dhe Ellie, personazhet kryesore, por në grupime të ndara.
Një grup hakmarrës i “Xixëllonjave” (grupim antagonist në serial), gjendet pranë në një vilë alpine. Abby, kryesorja prej tyre, kërkon të marrë hak ndaj Joel, pasi i ka vrarë babain dhe 18 persona të tjerë, kur shpëtoi Ellien në fundin e sezonit të parë.
Dhe në fakt ajo e arrin këtë në një skenë tmerruese për natyrën njerëzore dhe pikërisht pasi Joel e ka shpëtuar nga të infektuarit me kërpudhën që i kthen njerëzit në zombi.
Vetë skena meriton të veçohet si ndër më të arrirat, qoftë nga realizimi, ashtu edhe nga aktrimi.
Por mbi të gjitha, nga ethet e një mesazhi kuptimplotë, i cili bën shikuesin të kuptojë se si njeriu, është armiku më i madh i sojit.
Në një kohë kur gjithë banorët e qytezës së fortifikuar po luftojnë për mbijetesë kundër zombive, Abby dhe ekipi i saj kanë kapur Joel-in dhe Dina-n (mikesha e ngushtë e Ellie).
Dina vihet në gjumë, në bazë të një premtimi që Abby ka dhënë se askush përveç Joel nuk do të lëndohet.
Më pas, një çifte shkrepet mbi gjurin e Joel, i cili fillon të psherëtijë në agoni.
Abby përmend më tej një kod moral, ku një të plagosuri nuk i merret jeta. Por, nuk do t’ia dijë.
Nuk do t’ia dijë as për faktin se Joel e shpëtoi. Dhe katër persona të tjerë nuk duan t’ia dinë dhe rrinë e shohin Abby-n se si i shkakton Joel-it një vdekje të avashtë duke e rrahur me një shkop golfi pambarimisht.
Kjo, deri kur Ellie, e cila ishte në patrullim jashtë qytetit, gjen shtëpinë dhe sheh Joel-in që është i shtrirë në tokë, i ngulfatur, i fryrë në fytyrë, i pafuqishëm edhe për të lëshuar britmën më të vogël për të treguar dhimbjen që po përjeton.
Në një skenë epike përmbyllëse, Ellie gjendet e shtrirë përtokë, e rrahur nga “Xixëllonjat”, ndërsa Joel gjendet i shtrirë përtokë, në grahmat e fundit të jetës.
Lotët vijnë pa paralajmëruar. Ellie, e cila si një adoleshente kishte rebelimet e saja ndaj Joel, e sheh në sy dhe i lutet të çohet e të luftojë për jetën e tij.
Tepër vonë. “Demonët” brenda Abbyt dhe pamja e babait të saj, një mjek, i vrarë me një plumb nga Joel, janë shumë për t’u përballuar. Hakmarrja është rrugëdalja e vetme.
Një thikë e improvizuar me të cilën Ellie vjen për të shpëtuar Joel është në dysheme. Abby e merr, dhe i jep Joel-it goditjen e fundit.
Një Ellie e shkatërruar fillon të lëshojë vrerin mbi Abby-n, të cilën e kërcënon se do e vrasë sapo t’i jepet rasti, për t’i lënë udhë një historie të radhës të hakmarrjes.
E tronditur, por e lirë tashmë pas ikjes së “Xixëllonjave”, Ellie shkon mbi trupin e Joel dhe e vajton aty atë, përpara se ta tjerët ta gjejnë dhe të kthehen me trupin e tij mbrapa, në qytetin e shkatërruar.
Ndoshta është më mirë kështu! Jo gjithnjë e dimë se e nesërmja do të vijë. Shpresa, mund të shkojë vetëm te një lutje për të parë dyert e Parajsës të hapura për ne…

