Connect with us

Kronike

Vrau në Lushnjë më 2019 Besnik Hidën bashkë me Laert Haxhiun dhe Orgest Bilbilin, arrestohet i fshehur në Greqi 51-vjeçari! Policia: Do ekstradohet (EMRI)

Arrestohet i fshehur në Greqi 51-vjeçari i shumëkërkuar si anëtar i grupit të Laert Haxhiut në Lushnjë, i akuzuar si bashkëpunëtor edhe në vrasjen e Besnik Hidës, e kryer në vitin 2019 në qytetin myzeqar.
Policia e Shtetit konfirmoi sot (10 maj) operacionin e kryer në Pire dhe ka nisur procedurat e ekstradimit të Ardian Ahmetajt.
Operacioni është koduar “Wanted” dhe Ahmetaj ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
“Strukturat e Policisë së Shtetit kanë siguruar informacion për një shtetas të kërkuar që fshihej në Greqi dhe menjëherë, nëpërmjet Interpol Tiranës, kanë bashkëpunuar me homologët grekë për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e personit me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve në kohë reale mes strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit dhe homologëve grekë, në Pire, Greqi, në kuadër të operacionit “The Wanted”, u lokalizua, u kap dhe u arrestua me qëllim ekstradimi shtetasi A. A., 51 vjeç”, bëhet me dije në njoftimin zyrtar.
Ahmetaj ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Fierit, në vitin 2023, ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg”, për veprën penale “vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim” dhe “mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit”.
Ai dyshohet se në vitin 2019, në Lushnjë, në bashkëpunim me të akuzuarin si kreu i organizatës kriminale, Laert Haxhiu, i arrestuar dhe ekstraduar po nga Greqia, dhe Orgest Bilbili, po i arrestuar dhe dënuar, kanë vrarë me armë zjarri Besnik Hidën.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Athinën, me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi në Shqipëri.

Advertisement