Connect with us

Aktualitet

Digjet një apartament në Shkëmbin e Kavajës, 6 persona me vështirësi në frymëmarrje

Një zjarr ka përfshirë mbrëmjen e së hënës një apartament në katin e nëntë të një pallati në zonën e Shkëmbit të Kavajës, duke shkaktuar panik mes banorëve.

Sipas njoftimit paraprak të Policisë, ngjarja është regjistruar rreth orës 20:30 në një apartament në pronësi të shtetasit E. Sh. Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë dhe forcat e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, të cilat bënë të mundur izolimin dhe shuarjen e flakëve.

Si pasojë e tymit të dendur, gjashtë persona u transportuan në spital pasi shfaqën vështirësi në frymëmarrje. Sipas autoriteteve, të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Policia bën me dije se situata është vënë plotësisht nën kontroll, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për të përcaktuar shkaqet e zjarrit dhe për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes.

Advertisement