Politike
“Humbësit po pengojnë procesin”/ Balla: Votat e diasporës duhet të numërohen pa ndërprerje

Nga ambientet e Parkut Olimpik, ku zhvillohet procesi i numërimit të votave të ardhura nga diaspora, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për diasporën, Taulant Balla deklaroi për mediat se PS i është drejtuar Komisionit të Administrimit, Vlerësimit dhe Numërimit të votave nga jashtë për të vijuar me pjesën e mbetur të numërimit, rreth 25% të votave.
“Synimi ynë është i qartë: të lexohet çdo votë e ardhur nga motrat dhe vëllezërit tanë në diasporë dhe të përmbyllet sa më shpejt ky proces”, u shpreh Balla.
Sipas tij, janë evidentuar vështirësi për të marrë vendime brenda komisioneve për shkak të mungesës së kuorumit, si pasojë e balancës politike brenda tyre. Ai tha PS i është drejtuar Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, të cilit Kodi Zgjedhor i njeh kompetencën për të garantuar vijimin e procesit.
“Kemi vërejtur se në komisionet e administrimit, vlerësimit dhe numërimit të votave nga jashtë nuk ka një kuorum për të marrë vendime, pra për shkak të balancës politike që ekziston në to. Sipas parashikimeve të Kodit, tani më i jemi drejtuar edhe Komisionerit, z. Celibashi, i cili ka të gjithë kompetencën e përcaktuar nga Kodi Zgjedhor dhe nga vendimet përkatëse të rregullatorit, me qëllim vijimin e këtij procesi.”
Referuar opozitës, Balla tha se humbësit po përpiqen të pengojnë shpalljen e rezultatit përfundimtar. “Pra, e keni parë ditën e diel në darkë që ka ardhur një përfaqësues politik dhe i ka thënë numëruesve, gjë që s’ka ndodhur kurrë, për të mos numëruar.”
“Dhe më lejohet, besoj, që mund ta bëj këtë gjë për të vijuar procesin në mënyrë normale, dhe besoj që të njëjtën gjë do ta bëjnë edhe përfaqësuesit apo drejtuesit politikë të të gjitha forcave politike në gjitha vendnumërimet e votave,” u shpreh ai.
“Votat janë të mbyllura me procesverbale dhe janë dorëzuar në mënyrë të rregullt në KQZ. Detyra e këtyre komisioneve është t’i lexojnë, pa vonesa dhe pa ndërhyrje politike. Pas këtij momenti vijon dhe saga e përhershme e kontestimeve nga çdo subjekt garues në këto zgjedhje,” përfundoi Balla.

