Connect with us

Aktualitet

Jozwiak: Tjetër ditë e madhe për Shqipërinë sot, i vetmi vend që po ecën përpara

Redaktori për Europë i Radios Europa e Lirë, Rikard Jozwiak flet për “një tjetër ditë të madhe” sot për Shqipërinë.

Ai shkroi në X se Shqipëria do t’i hapë 8 kapitujt e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Jozwiak thotë se Shqipëria është i vetmi vend kandidat që po ecën përpara drejt anëtarësimit në BE.

“Një ditë tjetër e madhe sot për Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit në BE – hapja e 8 kapitujve të anëtarësimit (ose grupi 3 sipas gjuhës së re të BE-së). Aktualisht i vetmi vend kandidat që po ecën përpara, ndërsa të tjerët mbeten të bllokuar për momentin”, shkroi ai.

Në Bruksel do të mbahet sot Konferenca e Pestë ndërqeveritare që do të shërbejë për hapjen e grupkapitullit të tretë “Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse”. Ky grupim i tretë përfaqëson rritjen gjithpërfshirëse për mirëqënie dhe përfshin tetë fusha ose kapituj:
Kapitulli 10 (Transformimi Digjital dhe Media)
Kapitulli 16 (Tatimet)
Kapitulli 17 (Politika Ekonomike dhe Monetare)
Kapitulli 19 (Politika Sociale dhe Punësimi)
Kapitulli 20 (Ndërmarrjet dhe Politika Industriale)
Kapitulli 25 (Shkenca dhe Kërkimi)
Kapitulli 26 (Arsimi dhe Kultura)
Kapitulli 29 (Bashkimi Doganor)
Advertisement