Kosova
Albulena nuk është as në pyetje, as në pikëpyetje/ Kurti luan me fajtorin si me topin e futbollit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka fajësuar partitë opozitare për dështimin e konstituimit të Kuvendit për 21 herë radhazi, teksa ka deklaruar se bllokimi I Kuvendit po bëhet nga opozita përmes refuzimit të votimit të fshehtë.
“Albulena Haxhiu nuk është as në pyetje, as në pikëpyetje. Përgjigja është votimi i fshehtë për çfarë opozita padrejtësisht dhe duke dëmtuar shtetin e Kosovës, po pamundëson kuorumin” – deklaroi Kurti.
Për 21 herë radhazi, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar në konstituimin e legjislaturës së nëntë. Që nga betimi i deputetëve më 19 prill, seanca ka ngecur pikërisht në pikën për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Fillimisht, votimi u zhvillua në mënyrë të hapur dhe me pas, si zgjidhje, LVV-ja propozoi formimin e një komisioni për votim të fshehtë – propozim që vazhdon të dështojë, ndërkohë që Albin Kurti insiston në këtë opsion.
Kreu I Vetevendosjes, që fitoi më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare, javën e kaluar konfirmoi se në disa raste ka takuar kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, për të biseduar lidhur me formimin e institucioneve, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Sipas tij, takimet janë zhvilluar në një atmosferë ku është “rritur besimi” dhe “vullneti për të bashkëpunuar”.

