Connect with us

Bota

Vendim ‘bombë’ në SHBA, gjykata bllokon Trumpin për tarifat

Administrata Trump apeloi të mërkurën një vendim të një gjykate federale të specializuar në tregtinë ndërkombëtare që bllokon zbatimin e tarifave doganore “hakmarrëse” të vendosura nga presidenti republikan përmes urdhrave ekzekutivë për pothuajse të gjitha produktet e importuara në Shtetet e Bashkuara.

Por gjykata e Tregtisë Ndërkombëtare, një gjykatë federale me seli në Nju Jork dhe kompetencë në çështjet e tregtisë së jashtme dhe doganave, ka anuluar të ashtuquajturat tarifa “reciproke” të vendosura nga administrata, duke i shpallur të paligjshme.

Pas vendimit të gjykatës Shtëpia e Bardhë sulmoi “gjyqtarët e pazgjedhur” të cilët, sipas tyre, nuk kanë të drejtë të vendosin se si të merren me një emergjencë kombëtare

“Presidenti Trump është betuar ta vërë Amerikën në plan të parë dhe administrata është e vendosur të përdorë të gjitha levat e pushtetit ekzekutiv për të adresuar krizën dhe për të rikthyer madhështinë e Amerikës”, tha zëdhënësi Kush Desai në një deklaratë.

Çfarë thotë vendimi?

Një gjykatë amerikane e specializuar në çështjet e tregtisë ndërkombëtare ka rrëzuar, në një vendim të bërë publik dje, të mërkurën, zbatimin e tarifave doganore “hakmarrëse” prej të paktën 10% që Trump dëshironte dhe që tashmë janë vendosur për të gjitha produktet nga vendet e huaja të importuara në SHBA. Gjykata agumenton se vetëm Kongresi ka fuqinë për të marrë vendime për marrjen e masave të tilla.

Sipas gjyqtarëve , urdhrat ekzekutivë të 2 prillit, të cilët vendosën tarifa prej të paktën 10% për të gjitha produktet e importuara dhe deri në 50% në varësi të vendit të origjinës, tejkalojnë kompetencat e dhëna presidentit sipas ligjit IEEPA për të rregulluar importet përmes përdorimit të tarifave doganore.

Ligji IEEPA i lejon presidentit të vendosë për masat e nevojshme ekonomike ose të vendosë sanksione ekonomike për të adresuar një kërcënim të jashtëzakonshëm dhe të pazakontë.

Advertisement