Connect with us

Bota

Çarmatimi bërthamor drejt fundit, rritet frika për një konflikt nuklear/ SIPRI ngre alarmin

Epokës së çarmatimit bërthamor po i vjen fundi, ndërsa teknologjitë e reja rrisin rrezikun e konfliktit bërthamor, paralajmëroi SIPRI të hënën.

Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI) theksoi në vlerësimin e tij vjetor të gjendjes së armatimeve, çarmatimit dhe sigurisë ndërkombëtare, se megjithëse numri i kokave bërthamore në botë vazhdoi të ulej vitin e kaluar për shkak të çmontimit të kokave bërthamore të dala nga përdorimi nga SHBA-të dhe Rusia, ritmi i çmontimeve të tilla po ngadalësohet.

Shkalla me të cilën kokat e reja bërthamore hyjnë në stoqet globale mund të tejkalojë së shpejti çmontimet, tha SIPRI, ndërsa shtetet bërthamore ndjekin programe modernizimi.

“Epokës së reduktimit të numrit të armëve bërthamore në botë, e cila kishte zgjatur që nga fundi i Luftës së Ftohtë, po i vjen fundi”, tha në një deklaratë Hans M. Kristensen, Bashkëpunëtor i Lartë i Programit të Armëve të Shkatërrimit në Masë të SIPRI-t.

“Në vend të kësaj, ne shohim një trend të qartë të rritjes së arsenaleve bërthamore, retorikës bërthamore të mprehur dhe braktisjes së marrëveshjeve të kontrollit të armëve”, shtoi ai.

Nëntë vende – Shtetet e Bashkuara, Rusia, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Kina, India, Pakistani, Republika Popullore Demokratike e Koresë (Koreja e Veriut) dhe Izraeli – kanë koka bërthamore në arsenalet e tyre me një inventar global të vlerësuar prej 12 mijë e 241 kokash luftarake, nga të cilat 9 mijë e 614 ishin në rezerva ushtarake për përdorim të mundshëm.

Pak më shumë se 2 mijë nga kokat luftarake të vendosura, pothuajse të gjitha që i përkisnin SHBA-ve dhe Rusisë, mbaheshin në një gjendje gatishmërie të lartë operative për raketat balistike.

Të dy vendet u përballën me sfida në programet e tyre të modernizimit vitin e kaluar, por SIPRI parashikon se vendosja e armëve bërthamore nga ana e tyre do të rritet në vitet në vijim.

Arsenali bërthamor i Kinës, i cili aktualisht numëron të paktën 600 koka bërthamore, ndërkohë po rritet më shpejt se çdo vend tjetër, me rreth 100 koka të reja bërthamore në vit që nga viti 2023.

SIPRI vlerëson se Kina potencialisht mund të ketë të paktën po aq Raketa Balistike Ndërkontinentale (ICBM) sa Rusia ose SHBA-të deri në fillim të dekadës.

Përdorimi në rritje i Inteligjencës Artificiale (IA) dhe teknologjive të tjera për të përshpejtuar vendimmarrjen në kriza rrit rrezikun e shpërthimit të një konflikti bërthamor si rezultat i keqkomunikimit, keqkuptimit ose aksidentit teknik, sipas SIPRI-t.

Advertisement