Bota
57,100 viktima palestineze/ Trump: Ata kanë kaluar nëpër ferr, meritojnë të jenë të sigurt

Presidenti amerikan, Donald Trump, u shpreh se dëshiron sigurinë e banorëve në Rripin e Gazës, ndërsa konfirmoi planet për diskutime të ardhshme me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, lidhur me situatën në rajon dhe Iranin.
Në një deklaratë për gazetarët, Trump theksoi: “Dua që populli i Gazës të jetë i sigurt, më e rëndësishmja. Ata kanë kaluar nëpër ferr.”
Presidenti rikujtoi propozimin e tij për marrjen në pronësi nga SHBA-ja të Gazës, të paraqitur për herë të parë në shkurt, plan ky që u refuzua nga komuniteti ndërkombëtar, por që ai vazhdoi ta promovojë në mënyrë sporadike gjatë muajve të fundit.
Trump shprehu gjithashtu shpresën që një armëpushim në Gaza mund të arrihet “diku javën tjetër”.
Ndërkohë, ndërsa thirrjet për armëpushim janë në rritje, konflikti ka shkaktuar mbi 57,100 viktima palestineze, kryesisht gra dhe fëmijë, që nga tetori i vitit 2023.

