Connect with us

Pinknews

Kurora që peshon si përgjegjësi: Një rrëfim nga “Miss Earth Albania 2025”

Cila është kostoja e prozhektorëve, kamata që duhet paguar për të qenë reflektimi i dritës ku të tjerët gjejnë sajdisjen e shpirtit?

Në një skenë ku dritat ndriçojnë për pak sekonda, ndërsa imazhi sundon, dikush ka zgjedhur të shfaqet ndryshe.

Jo thjesht si një ekspoze e bukur me kurorë, por si një zë i fuqishëm për t’i dhënë kuptimin që duhet.

Për Kleja Sulejmanin, “Miss Shqipëria 2025” nuk ishte thjesht një garë bukurie, e as një galeri fotografish. Ishte mishërimi i një ëndrre, që pengesat e hasura rrugës, nuk i kishte pasur të pakta.

“Një kapitull i jashtëzakonshëm, një rrugëtim shpirtëror dhe emocional”, e quan ajo vetë, ndërsa përpiqet që me fjalë të thjeshta, të mishërojë për Albanian Post ndjesitë e të qenit tashmë një “Miss”.

Një udhëtim që i solli jo vetëm kurorën, por edhe dy tituj domethënës: Zgjedhjen nga publiku si më e bukura, si edhe përfaqësimin e Shqipërisë në “Miss Earth 2025”.

“Të zgjidhesh nga publiku është një nder që tejkalon çdo trofe. Është prova që autenticiteti rezonon me zemrat e njerëzve”, rrëfen ajo gjatë një bisede me Albanian Post lidhur me suksesin e tejskajshëm që ka përjetuar falë pasarelës së ecejakes bindëse, me kokën vetëm drejt dhe me shikimin e përqendruar në një pikë të vetme: Të ardhmen!

Dhe ndoshta kjo është ajo që e bën të veçantë: Kleja nuk kërkon të pëlqehet, as të komplimentohet por të kuptohet.

E vetëdijshme për peshën që mbart një figurë publike, edhe pse në moshë të vogël, ajo e sheh kurorën jo si qëllim, por si përgjegjësi.

Kleja dëshiron të shihet përtej paraqitjes, përtej pasarelave, përtej imazhit të zakonshëm të një Miss-i.

“Unë jam një vajzë me ëndrra të mëdha, me një mendje kërkuese dhe me një zemër që digjet për drejtësi sociale, barazi dhe edukim cilësor”.

Janë këto fjalët që ajo i artikulon me më së shumti zë, kur pyetet se çfarë peshon më së shumti në konceptin e saj të Miss-it.

Në një botë që shpesh përpiqet ta vendosë figurën femërore, edhe kur është vajzërore, në kufijtë e një imazhi, ajo është dëshmi se bukuria dhe mendimi nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën.

Në të kundërt, mund të rrënjëzojnë gjenezën e fuqizimit të sojit.

“Forca më e madhe që mund të ketë një njeri është butësia me të cilën përballet me botën”, përmend ajo me zërin e ëmbël dhe të çiltër, por të vendosur.

Por nuk ka qenë e gjitha fushë me lule për bukuroshen 20-vjeçare. Në mënyrë që “qengji” i ëmbël e plot dashuri për botën të shfaqej e të mishërohej në rolin e një Kleja “Miss”, u desh që një “luan” brenda saj të tejkalonte pengesat e vendosura pa takt dhe pakuptueshëm në shtegun e saj drejt suksesit.

Përtej shfaqjes së dukjes, Kleja mbart mbi kurriz një histori që shumëkush nuk e di.

Një histori përballje me bullizmin, me të qenit jo si masa dëshiron, me të pasurit guximin për të shprehur së jashtmi, atë çfarë të tjerët nuk ta lexojnë dot së brendshmi.

Një përballje që sot megjithatë nuk e mbart më si dhimbje, por si forcë.

“Ajo që dikur më thyente, sot më forcon. Më mësoi të ngrihem mbi fjalët, të mos e shoh veten përmes syve të të tjerëve. Të jem e dhembshur me të tjerët, aq sa e palëkundur me veten”.

Por Kleja mbetet një vajzë e thjeshtë, e cila jeton në një botë ku informacioni udhëton me shpejtësi më të mëdha se sa arritjet e saja dhe ku ajo duhet të kujdeset për të mos shkarë aty ku nuk duhet.

Në një kohë kur mediat sociale mund të jenë si dritare, apo si pasqyrë e shtrembëruar, ajo zgjedh të jetë e vetëdijshme për çdo klikim.

“Rrjetet janë një penë: mund të shkruash poezi ose të përhapësh zhurmë. Unë zgjedh t’i përdor për të ndarë dije, frymëzim, për të ndërtuar ura dhe për të ngritur zërin për kauza”.

Në një botë të imazheve të shpejta, ajo ka vendosur të jetë Miss-it që qëndron, jo për të pozuar, por për të reflektuar.

Për të, bukuria nuk është standard, por akt. Është shprehje e një vullneti për të përhapur harmoni.

Nuk është vetëm formë, por ndjeshmëri. Dhe këtë e shpreh përmes fjalëve të ndoshta më të bukurës në histori, Audrey Hepburn, të cilat i ka kthyer në një lloj filozofie vetjake, pa pasur drojë prej paragjykimit.

“Për buzë atraktive, flisni me fjalët e dashurisë. Për sy të dashur, shikoni të mirën te njerëzit. Për një figurë fine, ndani ushqimin me të varfrit. Për flokë të bukur, lini një fëmijë të luajë me to të paktën një herë në ditë. Për prezencë, ecni me dije, se kurrë nuk do të ecni vetëm”.

Dhe Kleja Sulejmani, ecjen e saj, sapo e ka filluar…

Advertisement