Kryetari i PD, Sali Berisha bëri reagimin e parë pasi ish-deputeti demokrat Ervin Salianji fitoi lirinë nga Gjykata e Fierit, pasi qëndroi 9 muaj në burg.

Berisha e quajti burgosjen e Salianjit si dënim politik nga kryeministri Edi Rama dhe ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Lideri i opozitës shtoi se ish-deputeti demokrat u mbajt i izoluar për 9 muaj në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës.

Sali Berisha: Para se të ndalemi në farsën e turpshme elektorale, 11 maj 2025, dua të dënoj edhe njëherë me forcën më të madhe, dënimin politik ndaj deputetit Ervin Salianji nga Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj, krerë kryesorë të organizatës kriminale të narkoshtetit. Ervin Salianji vuajti jashtë çdo lloj ligji, Kushtetute dhe rregulli. 9 muaj në burg vetëm e vetëm pse denoncoi Geron Xhafën si trafikant kryesor në qarkun e Vlorës, i cili kërkohej në Milano. Burgosja e Ervin Salianjit kishte si synim kryesor burgosjen e të vërtetës se Edi Rama, Fatmir Xhafaj dhe Geron Xhafaj udhëhiqnin dhe përfitonin nga trafiqet nga Vlora drejt Italisë. Natyrisht mbajtja në burg e Ervin Salianjit pa asnjë faj është përgjegjësi direkt personale e Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës. Vendimi i sotëm i gjykatës u shty po me urdhër të Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës mbi 6 javë në një akt të turpshëm dhe hakmarrës pa fund.