Connect with us

Shkrime

Kanuni i Lekës, i domosdoshëm përballë Katundit të Ramës, për të mbijetuar

Nga Basir Çollaku

Malësorët në veri e në jug kanë lëshuar kushtrimin, kanë thirrur Kuvendet, janë mbledhur paria dhe krerët e bajraqeve, pashallëqeve, bejlerët, për me i dalë zot vatanit, të rrezikuar prej armikut. As serb, as turk, as grek, as shkja nuk na kanë marrë trojet tona prej 500 motesh – thotë Zef Vladi, trashëgimtar i Bajrakut të zonës.

Prifti në krah të malësorëve. Ata po përballen me antiligjin. Me shtetin e kapur. Me qeverinë e përdorur. Me vendorët e rrëzuar. Kanë shtet-pushtet-partinë përballë. E në traditën e paqes ku nderi e kodi rrinë në këmbë, janë kthyer te e drejta zakonore, përpara të cilës të gjithë binden. Aty kuvendi ndahet me një seancë. Thethi thirri burrat në Kuvend. Bajraktari dhe prifti – ata duan bekimin e Zotit kur të veprojnë. Janë të gjithë në këmbë. Mandati i Kuvendit të Maleve është i shenjtë. Nuk ka parti. Ka veç atdhe. Kullat kanë kode. Kanë asht. Kanë vatanin fe.

Në Theth, si kudo në Shqipëri, po shohim se Kanuni i Lekës është bërë i domosdoshëm përballë “katundit” të Ramës, për të mbijetuar. Me 500 fjalë në një letër rruge të Paketës së Ramë-Benetit, dy të pandehurve të mëdhenj, na u bëkërka për pesë minuta pronar i trojeve 500-vjeçare. Por këtu çudia nuk zgjat tre ditë. Janë thirrur burrat nga Malësia e Diaspora dhe të gjithë janë gati me u mbledh në Dukagjin. Vetëm ai që ka detyrë ligjin, KM, nuk është gati të zbatojë ligjin e të merret vesh me vendasit. Sepse Rama ka zgjedhur baronët në vend të banorëve. Sjellja e pushtetit me armë kundër autoktonëve, sikur e kanë katundin e shefit e po e çlirojnë, është kanibalizëm. Ulërimë është plaçkitja e pronës, kudo në Vlorë, Sarandë, Ksamil, Shëngjin, Velipojë, Durrës. KM ia ka sajuar targat ndonjë “thethiani me ngjyrë” apo jo shqipfolës për të bërë pazarin e radhës. Thethi nuk është Surreli i vjedhur, as Gjipeja e klonuar e kthyer në saraj të ramajve qeveritarë me VKM.

Fatkeqësisht, me leje e ligje mbajtëm në kurriz 50 vite diktaturë vrasëse. Po sot, me çligje të Ramës, grabitja është kthyer derë më derë. Qeveri, kuvend, bashki, drejtësi, ekonomi, media, votë, mafie – të gjitha i koordinon e kontrollon një individ. Shteti nuk është fadromë. Kur institucionet nuk funksionojnë, atëherë njerëzit, qytetarët, e kanë detyrim të ngrihen e t’i ribëjnë ato. Sot, Kanuni i Lekës ka mbajtur rend e siguri shumë herë më tepër se “katundi” kriminal i Ramës. Ne e kujtojmë marrjen e frymës dhe azmën e acaruar të Kryeministrit që dihaste si maratonomak i sëmurë, kur kuksianët i dhanë kusurin traut apo kur studentët e telendisën për tre ditë. E treta mund të prodhojë lajme. Në një emergjencë kombëtare, askush mos u befasoftë kur shqiptarët të brohorasin me më shumë dëshirë: rroftë “Kanuni”, e poshtë “Katundi”…

Advertisement