Connect with us

Bota

Takimi Trump- Putin/ Zelensky kërkesë Gjermanisë: Evropa duhet të marrë pjesë në bisedimet e paqes

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka përsëritur thirrjen për t’i dhënë fund sa më parë luftës në Ukrainë, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes aktive të Bashkimit Evropian në procesin e paqes.

Komentet e tij vijnë pas një bisede telefonike me kancelarin gjerman Friedrich Merz, ku të dy liderët theksuan domosdoshmërinë e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe dinjitoze.

Në një postim në platformën X (ish-Twitter), Zelensky shkroi: “Ukraina dhe Gjermania ndajnë të njëjtën bindje: lufta duhet të përfundojë sa më shpejt me një paqe të denjë. Parametrat që do të përcaktojnë fundin e kësaj lufte do të formësojnë panoramën e sigurisë në Evropë për dekadat e ardhshme.”

Zelensky theksoi se Ukraina është pjesë integrale e kontinentit evropian dhe tashmë ndodhet në proces negociatash për anëtarësimin në BE, gjë që  sipas tij  e bën të domosdoshme përfshirjen e Evropës në proceset e paqes.

“Lufta është në zhvillim në Evropë dhe Ukraina është pjesë e pandashme e saj. Prandaj, Evropa duhet të marrë pjesë në proceset përkatëse”, shtoi ai.

Presidenti ukrainas bëri të ditur se kishte rënë dakord me kancelarin Merz për të vazhduar dialogun, ndërsa paralajmëroi se këshilltarët për sigurinë nga Ukraina, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë një takim virtual për të harmonizuar qëndrimet për një proces të ardhshëm paqeje.

Ai po ashtu përmendi se janë diskutuar disa formate të mundshme për takime në nivel të lartë – përfshirë dy bilaterale dhe një takim trilateral  që do të mund të çojnë përpara negociatat. Zelensky nënvizoi se Ukraina është e gatshme për dialog dhe pret të njëjtin nivel vendosmërie nga pala ruse: “Ukraina nuk i druhet takimeve dhe pret të njëjtin guxim edhe nga pala ruse. Është koha t’i jepet fund luftës. Faleminderit të gjithëve që po na ndihmojnë.”

Lufta në Ukrainë, që nisi në shkurt 2022 pas pushtimit rus, ka shkaktuar mijëra viktima dhe një krizë të thellë gjeopolitike në Evropë. Ndërsa Kievi kërkon mbështetje të vazhdueshme perëndimore për të rimarrë territoret e pushtuara dhe për të garantuar sigurinë e saj afatgjatë, thirrjet për një proces serioz paqeje po intensifikohen gjithnjë e më shumë nga të dy anët e Atlantikut.

Advertisement