Connect with us

Bota

Zbardhet axhenda e takimit/ Trump dhe Putin në konferencë të përbashkët të premten

Detajet e reja të samitit Trump-Putin në Alaska sugjerojnë se Kremlini po synon të shkojë përtej bisedimeve mbi një “marrëveshje paqeje” në Ukrainë dhe po kërkon një rivendosje gjithëpërfshirëse të marrëdhënieve SHBA-Rusi.

Takimi do të fillojë në orën 11:30 sipas orës lokale në Alaska, pra në orën 20:30 me orën BST dhe 21:30 me orën CEST.

Yuri Ushakov, këshilltari për politikën e jashtme i Kremlinit dhe ish-ambasadori rus në SHBA, informoi mediat se dy presidentët do të kenë një “takim kokë më kokë” me përkthyes, por gjithashtu do të mbajnë edhe një “takim më të gjerë” me delegacionet dhe një mëngjes pune.

Ushakov tha se Ukraina do të jetë “tema qendrore” e bisedës, por dyshja do të diskutojë gjithashtu tregtinë dhe bashkëpunimin ekonomik.

Delegacioni rus do të përfshijë ministrin e jashtëm Sergei Lavrov, ministrin e mbrojtjes Andrey Belousov, ministrin e financave Anton Siluanov, kreun e fondit sovran rus Kirill Dmitriev dhe vetë Ushakovin, tha ai.
Ai shtoi se dy udhëheqësit pritet të mbajnë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp në fund të samitit, e cila pritet të jetë një moment shumë, shumë i rëndësishëm.

Dy palët janë takuar disa herë që nga rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar, me bisedimet dypalëshe të udhëhequra nga sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio në Riad. Kjo agjendë më e gjerë duket se është sërish në tryezë, me Rusinë të etur të theksojë përfitimet e mundësive të përbashkëta tregtare.
Rusia ka treguar më parë se dëshiron të bashkëpunojë me SHBA-në në disa fusha. Këto përfshijnë tregtinë, mineralet, naftën dhe Arktikun. Në këmbim të marrëveshjeve me kompanitë e mëdha amerikane të naftës, ajo ka gjasa të kërkojë heqjen e sanksioneve ndaj bizneseve kryesore ruse dhe oligarkëve.

Çdo dobësim nga ana e Trump i sanksioneve amerikane ndaj Rusisë do ta shqetësonte Ukrainën dhe aleatët e saj evropianë. Ata gjithashtu do të ishin të shqetësuar për një konferencë të përbashkët për shtyp Trump-Vladimir Putin. Në paraqitjen e tyre të fundit famëkeqe së bashku në Helsinki në vitin 2018, Trump tha se Rusia nuk kishte ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016 – gjë që kishte ndodhur.

Një figurë interesante në delegacionin rus është Kirill Dmitriev, një bankier investimesh dhe kreu i fondit sovran të pasurisë së Rusisë. Dmitriev – një folës i rrjedhshëm i anglishtes – ka shoqëruar Steve Witkoff, të dërguarin e posaçëm të Trump, në disa udhëtime të tij në Moskë. Dmitriev është “pëshpëritësi” i Witkoff për Kremlinin. Detyra e tij është të bindë Shtëpinë e Bardhë se Rusia është serioze për “paqen” në Ukrainë dhe se Volodymyr Zelenskyy është pengesa për këtë

Advertisement