Connect with us

Bota

Arma më e fuqishme amerikane/ SHBA nis prodhimin e raketës sekrete të Lockheed AIM-260

Forcat Ajrore dhe Marina e Shteteve të Bashkuara kanë paraqitur një kërkesë të përbashkët buxhetore prej gati 1 miliard dollarësh për vitin fiskal 2026, me qëllim nisjen e prodhimit të raketës më të re ajër-ajër të zhvilluar nga Lockheed Martin, AIM-260.

Ky projekt, i cili ka kaluar tetë vite në faza të klasifikuara të kërkimit dhe testimit, shihet si arma që do të garantojë mbizotërimin amerikan në qiell përballë një gare gjithnjë e më të fortë me fuqitë rivale, raporton Bloomberg.

Vendimi për të kaluar në fazën e prodhimit lidhet ngushtë me zhvillimet e fundit në Azi. Përdorimi nga Pakistani i raketave kineze PL-15 për të rrëzuar avionë indianë mbi 160 kilometra larg pa rrezikuar kundërpërgjigje, si dhe raportimet e Pentagonit se Kina ka futur në përdorim raketën edhe më të avancuar PL-17, kanë treguar se epërsia amerikane po vihet seriozisht në pikëpyetje.

Përballë kësaj, AIM-260 premton rreze më të gjatë, integrim me avionët F-22, F-35, F-16 dhe F-15, si dhe potencialin për t’u përdorur në dronët e rinj luftarakë amerikanë.

Për Lockheed Martin, raketa e re është më shumë se një armë – është një shans për të forcuar pozitat e saj në industrinë e mbrojtjes pas humbjes së disa kontratave të mëdha dhe përballjes me humbje miliardëshe.

Me një treg të vlerësuar deri në 30 miliardë dollarë, AIM-260 mund të bëhet programi më fitimprurës i kompanisë në dekadën e ardhshme, ndërsa për SHBA-të, mbetet një garanci e domosdoshme për ruajtjen e epërsisë ajrore ndaj çdo kundërshtari.

Advertisement