Bota
Nigel Farage ‘ndez’ Londrën, Starmer irritohet me gjuhën e tij për emigrantët

Kryeministri britanik Keir Starmer ka reaguar me zemërim ndaj deklaratave të Nigel Farage, i cili paralajmëroi për rrezikun e “trazirave civile” për shkak të numrit në rritje të emigrantëve që vijnë me gomone dhe vendosen në hotele publike.
Në një prononcim për gazetarët, zëdhënësi i kryeministrit u shpreh se qeveria nuk do të tolerojë gjuhën nxitëse dhe se janë në proces zbatimi të masave konkrete për të përballuar situatën.
“Kjo gjuhë e zemëron, për të qenë të sinqertë, sepse kjo është e padrejtë ndaj njerëzve të zakonshëm që paguajnë faturën, nga kostot e hoteleve deri te shërbimet publike që po shtrëngohen përtej kapaciteteve”, deklaroi zëdhënësi.
Sipas tij, qeveria është e fokusuar në zgjidhje reale dhe jo në “truke të vjetra që kanë dështuar”. Ai shtoi se presioni mbi shërbimet publike është real, por nuk ka asnjë rrezik për shpërthim të dhunës apo trazira në shoqëri, siç pretendon Farage.
I pyetur nëse administrata ëstë e gatshme të bëjë marrëveshje për kthimin e azilkërkuesve me vende si Afganistani apo Eritrea, siç ka propozuar Farage, zëdhënësi nuk e përjashtoi këtë opsion, por theksoi se kjo duhet të bëhet përmes bashkëpunimit ndërkombëtar dhe jo me tërheqje nga konventat ndërkombëtare të refugjatëve.
Nëse Britania do të negocionte drejtpërdrejt me talebanët, zëdhënësi u përgjigj shkurt: “Nuk do të spekulojmë për shtete të veçanta përpara kohe.”

