Kronike
Lokalet i kishin kthyer në “fole” të lojërave të fatit/ Procedohen penalisht 4 persona

Policia e Tiranës ka zbuluar dy ambiente të përshtatura për organizimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit, ndërsa ka proceduar katër shtetas dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë.
Sipas njoftimit të policisë, për këto dy raste, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit B. D., 65 vjeç; R. L., 33 vjeç; L. M., 63 vjeç; dhe G. Ch., 43 vjeç (shtetas kinez), si dhe u shpallën në kërkim dy shtetas kinezë, W. Zh. dhe Y. L.
Nga këto ambiente janë sekuestruar 34 njësi kompjuterike, 10 laptopë dhe 2 celularë.
Policia bën me dije se në operacionin e koduar “Jackpot”, pajisjet janë gjetur gjatë kontrolleve në dy ambiente të ndryshme, në Mjull-Bathore dhe në Vaqarr.
Njoftimi i policisë
“Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, operacioni policor i koduar “Jackpot”.
Zbulohen 2 ambiente të përshtatura për organizimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.
Sekuestrohen nga këto ambiente, 34 njësi kompjuterike, 10 laptopë dhe 2 celularë.
Procedohen 4 shtetas, shpallen në kërkim 2 të tjerë.
Strukturat e DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në fushën e lojërave të fatit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Jackpot”, kanë organizuar kontrolle në lokale dhe në ambiente të ndryshme të cilat mund të vihen në dispozicion për organizimin e lotarive të palejuara.
Gjatë kontrolleve, u konstatua se 2 ambiente, në Mjull Bathore dhe në Vaqarr, ishin përshtatur për organizimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.
Në vijim të veprimeve për këto dy raste, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit B. D., 65 vjeç, R. L., 33 vjeç, L. M., 63 vjeç dhe G. Ch., 43 vjeç (shtetas kinez), si dhe u shpallën në kërkim 2 shtetas kinezë W. Zh dhe Y. L. Punohet për kapjen e tyre.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.”

