Kronike
Po ndërtonin pa leje në tokë publike në Ksamil/ Arrestohen katër persona, në kërkim edhe personi që i punësoi

Katër persona janë arrestuar nga policia e Sarandës, pasi po ndërtonin pa leje në tokë publike në rrugën “Riviera”, Ksamil. Blutë bëjnë me dije gjithashtu se në kërkim kanë shpallur edhe një 42-vjeçar i dyshuar si personi që punësoi katër të dyshuarit.
Ndërkohë materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Pushtimi i tokës”.
Njoftimi i policisë:
Në kuadër të punës për parandalimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve pa leje, veçanërisht në zonat bregdetare, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë ushtruar kontrolle në Ksamil, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative dhe si rezultat, më datë 04.09.2025, në rrugën “Riviera”, Ksamil, u konstatua ndërtimi i 2 objekteve me konstruksion blloqe betoni, të papërfunduara, në tokë publike, pa leje nga organet kompetente.
Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestuan në flagrancë shtetasit: E. P., 36 vjeç, R. M., 34 vjeç, M. M., 47 vjeç, dhe A. A., 19 vjeç, banues në Sarandë.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi A. P., 42 vjeç, banues në Ksamil, i dyshuar si personi që kishte punësuar shtetasit e lartpërmendur për të ndërtuar pa leje në tokë publike. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Pushtimi i tokës”.

