Politike
I shpallur në kërkim për dhunimin e gardianit të burgut, pamjet kur RENEA thyen dyert dhe arreston 38-vjeçarin e rrezikshëm

Eldi Nure, një 38 vjeçar i shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit dhe me masë sigurie “Arrest në burg” nga Gjykata, është arrestuar nga një njësi e Forcave Speciale RENEA. Pas informacioneve të siguruara se Eldi Nure ndodhej në Fier, Policia e qarkut ka kërkuar ndërhyrjen e RENEAS.
Në muajin mars 2025, Gjykata e Fierit i ka caktuar 38 vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”, kryer në bashkëpunim.
Ai akuzohet se në bashkëpunim me shtetasit M. P., A. M., dhe E. R., ka goditur me grushte, për shkak të detyrës, një punonjës të IEVP Fier. Në muajin qershor është arrestuar dhe Marteos Pasho, ndërsa shtetasit A.M dhe E.R janë në kërkim.
Siç shihet dhe nga pamjet, ndërhyrja është bërë natën dhe Eldi Nure është gjetur në apartament. Efektivët e Forcave Speciale kanë mësyrë me shpejtësi në ambientet e brendshme dhe në një nga dhomat kanë gjetur 38 vjeçarin.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Dhunimi i gardianit të burgut për shkak të detyrës që ai ushtronte, u konsiderua e rëndë dhe shkaktoi shqetësim për sigurinë e punonjësve në sistemin penitenciar. Marteos Pasho, i arrestuar në Qershor, është i dënuar më parë për vrasje dhe armëmbajtje pa leje.
Mbrojtja e sigurisë së punonjësve të sistemit të drejtësisë mbetet një prioritet për institucionet ligjzbatuese, për shkak të rrezikut që u kanoset, veçanërisht në rastet kur përballen me individë me precedentë të mëparshëm penalë.

