“Siç nuk ka asgjë të përkryer, nuk është e tillë as kjo paketë,” u shpreh kryeministri Rama, duke theksuar se bëhet fjalë për një tërësi masash të reja, që synojnë të forcojnë kontrollin mbi territorin dhe ndërtimet, si dhe të mbrojnë integritetin e projekteve arkitektonike.
Një nga pikat kryesore të paketës është mbrojtja e autorësisë së projekteve arkitektonike, të cilat sipas Kryeministrit, shpesh janë deformuar nga ndërtuesit në praktikë.
“Siç nuk ka asgjë të përkryer nuk është e tillë as kjo paketë, por është një tërësi masash që do të na japin mundësinë të kemi në dorë instrumente të reja për të mbrojtur territorin, duke nisur që nga suksesi përfundimtar i një ofensive që do të zgjasë mbase edhe gjatë të gjithë mandatit të ri për ndalimin pa kthim të çdo frymëzimi për të ndërtuar pa leje, deri tek mbrojtja e autorësisë së projekteve arkitektonike që gjatë të gjithë kësaj kohë, që kur në Shqipëri ka nisur ndërtimi nga sipërmarrja e lirë, janë deformuar dhe përdhunuar në formën e tyre nga ndërhyrja e ndërtuesve.
Kjo i kthen në formale filtrat që vendosen për të garantuar që projekti plotëson standarded dhe një tjetër pasojë e konsiderueshme, mashtrimi që u bëhet blerësve duke u shitur objektin që ka marrë leje me pamjet specifike, ndërsa në fund pamja është si një kushëri i largët që sapo ka dalë i qethur e i rruar nga berberi dhe me trupin e deformuar”, tha Rama.