Politike
Rama fut parlamentin në xhep/ Abilekaj: Kabineti i ri, një tufë papagajsh, sekretarë të bindur e pa profil politik

Gazetari Enton Abilekaj, teksa foli mbi asamblenë e sotme të Partisë Socialiste dhe kabinetin e ri qeveritar, e cilësoi qeverinë Rama 4 si një strukturë të ndërtuar vetëm për t’i shërbyer autoritetit absolut të kryeministrit.
Sipas Abilekajt, “të komentosh përbërjen e qeverisë nuk i vlen, sepse është e qartë që kemi një qeveri që gjithmonë e më shumë po i ul profilin, në funksion të rritjes së pushtetit personal të Edi Ramës”. Ai theksoi se Rama jo vetëm që ka nënshtruar qeverinë, por tashmë po synon kontroll total edhe mbi drejtësinë dhe pushtetin legjislativ, duke e futur parlamentin “në xhep”.
Gazetari e quajti ekzekutivin e ri një “qeveri papagajsh”, të mbushur me figura pa profil politik, të cilët njihen më shumë si sekretarët e Ramës se sa si individë me qëndrim të pavarur. Sipas tij, Partia Socialiste sot nuk ka asnjë zë kritik, as në qeveri, as në grupin parlamentar: “Asnjë figurë nuk guxon të flasë ndryshe nga Edi Rama, të mendojë me mendjen e vet e jo si ai.”
Abilekaj solli shembuj konkretë të asgjësimit të pushtetit lokal nga Rama, duke përmendur Bashkinë e Tiranës, ku sipas tij, kryeministri ka vendosur kandidatë të emëruar nga ai vetë, pa legjitimitet të vërtetë, si dhe rastet e ngjashme në Durrës dhe Vlorë, ku kryetarët e bashkive janë zëvendësuar nga njerëz besnikë dhe sekretarë personalë të tij.
“Rama po asgjëson çdo institucion, çdo pushtet dhe çdo figurë politike që ka mendim të pavarur. Ai ka ndërtuar një sistem ku të gjithë janë vetëm zëdhënës të tij, një strukturë papagajsh që i bindet verbërisht,” deklaroi Abilekaj.
Ai paralajmëroi se ky model autoritar do të vazhdojë, ndërsa vendi po shkon drejt një kontrolli total të Ramës mbi të gjitha pushtetet.
Abilekaj:Të komentosh përbërjen e qeverisë nuk i vlen, sepse është e qartë që ne kemi një qeveri që gjithmonë e më shumë po i ulet profili në shërbim të rritjes së autoritetit të Edi Ramës. Një autoritet i cili është duke u shtuar edhe në pushtetet e tjera, ju e patë që fjala e Ramës sot filloi duke intimiduar një pushtet tjetër që është drejtësia, vazhdoi duke e kontrolluar sesi e ka futur në xhep dhe duke treguar një plan për zgjerim të plotë të pushtetit të pushtetit legjislativ, dhe pastaj filloi me qeverinë e cila është një qeveri kryesisht me profile të ulëta politike, njerëz që njihen më shumë si sekretarët e Ramës sesa si njerëz që kryejnë aktivitet politik të mirëfilltë.
Sot Partia Socialiste nuk ka në qeveri as në grup parlamentar, asnjë figurë që të dalë të flasë një fjalë ndryshe nga Edi Rama, mund të mendojë me mendjen e vet dhe mos të mendojë si Edi Rama. Kjo është një qeveri papagajsh, një grup parlamentar papagajsh, asgjësim komplet i të gjitha pushteteve, asgjësim i një partie politike dhe futje në xhep e gjithçkaje. Ajo që është lajm i ri për mua është kjo, që ai po asgjëson çdo njeri në Shqipëri edhe brenda radhëve të PS që ka një lloj pushteti që ja jep institucioni.
Pra, ai asgjësoi Bashkinë e Tiranës, Tirana nuk ka më bashki, kandidatura që vuri ai për Bashkinë e Tiranës është një kandidate e një ish-drejtoreshe që ai e mbajti me vete në qeveri si drejtoreshë e si sekretare, që tani e çoi si sekretare të Bashkisë së Tiranës.
Sepse kështu ka ndodhur dhe me Bashkinë e Durrësit, ai ka çuar sekretare, sepse kështu ka ndodhur edhe me Bashkinë e Vlorës, ka hequr kryetarin e bashkisë e do çojë një sekretar, sepse ai nuk pranon asnjë njeri që ka mendim të vetin.
Pra ashtu si e nisi, ai do vazhdojë me sekretarët. Rama na tregoi që parlamentin do e fusë në xhep fare dhe do e bëjë si e do vetë ai, ai i vendosi të gjitha vetë dhe të gjithë dëgjuan.

