Aktualitet
52 vjeçari ndërroi jetë papritur në paraburgim, familjarët akuzojnë për neglizhencë: Të hapen kamerat

Besnik Koçiu, 52 vjeç, i arrestuar më 12 korrik për dyshime mbi një plagosje me armë sportive, ndërroi jetë vetëm pak ditë pasi u dërgua në paraburgimin 313 në Tiranë.
Më 15 korrik, Gjykata e Tiranës caktoi për të masën e sigurisë “arrest me burg”, pavarësisht pretendimeve të avokatit dhe dokumentacionit mjekësor që tregonte se Koçiu vuante nga probleme serioze shëndetësore, mes tyre ishemia, diabeti dhe pasoja nga një goditje në tru.
Familjarët akuzojnë se i ndjeri u mbajt në izolim dhe nuk mori ndihmën e parë, edhe pse kishte shfaqur shqetësime serioze shëndetësore për disa orë.
“Ka pasur shumë probleme. Nuk duhej të rrinte asnjë orë në paraburgim. E lanë aty dhe nuk morën asnjë masë. I kemi dorëzuar dokumentacionin, por nuk u mor parasysh,” tha motra e tij, Eranda Sejdini për mediat.
Edhe vëllai i të ndjerit, Maksim Koçiu, akuzoi gjykatën dhe autoritetet e burgut për neglizhencë: “Nuk i dhanë asnjë ndihmë. Përgjegjësia fillon nga gjykata dhe vazhdon te ata që ishin kompetentë aty.”
Familja ka depozituar kallëzim penal në prokurori dhe kërkon hetim të plotë, hapjen e kamerave të paraburgimit dhe ndëshkimin e personave përgjegjës.
“Ne nuk do të ndalemi pa gjetur të drejtën e vëllait. Duam kamerat, duam dosjen, duam përgjegjësi. Të dimë pse dhe si ndërroi jetë,” tha vëllai i tij për mediat.

